Prej 11 ditësh, katër familje në fshatin Cernalevë të Kukësit kanë mbetur të izoluar në banesa, pas një rrëshqitjeje të konsiderueshme të tokës.
Rrëshqitja ka ndërprerë rrugën që të çon drejt banesave të tyre, si dhe aksin kryesor që lidh Borjen, Oreshkën dhe Cernalevën me qytetin e Kukësit, duke paralizuar lëvizjen në zonë.
Sipas banorëve, problemi lidhet me tubacionin e një hidrocentrali, pasi uji i grumbulluar në shpatin e malit ka shkaktuar rrëshqitjen e baltës dhe masave të dheut.
Si pasojë e shembjes, janë dëmtuar stalla bagëtish dhe dy banesa, ndërkohë që rrëshqitja mbetet aktive dhe mban zonën në pasiguri.
Reshjet e dendura të shiut dhe borës gjatë muajit janar kanë sjellë dëmtime të shumta në rrugë dhe ura në zonat e thella të Kukësit, duke lënë për ditë të tëra banorët të izoluar.
Lini një Përgjigje