Instituti i Gjeoshkencës ka publikuar parashikimin për kushtet atmosferike të fundjavës, duke njoftuar për reshje shiu në shumicën e qarqeve dhe reshje dëbore në zonat malore.
Gjatë së shtunës dhe të dielës, reshjet do të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të territorit. Në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Durrës priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në Shkodër, Elbasan dhe Fier reshjet do të jenë kryesisht mesatare, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri mesatare. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata, me intensitet të ndryshëm sipas zonave.
Në zonat malore mbi 1100 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të bien në formë dëbore.
Shtrëngatat dhe intensiteti i reshjeve mund të shkaktojnë rënie gurësh dhe inertesh, si edhe vërshime uji në zona urbane të caktuara. Rreziku paraqitet më i lartë në qarqet Dibër, Lezhë dhe Durrës, në varësi të kapacitetit të sistemeve të kanalizimeve.
Temperaturat
Të dielën, temperaturat pritet të luhaten nga 10 deri në 15 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 8 deri në 15 gradë në zonat e ulëta dhe nga 2 deri në 11 gradë në zonat malore.
Era
Pasditen e së shtunës, era do të fryjë mesatare deri e fortë në zonat malore. Të dielën, ajo pritet të jetë e lehtë deri mesatare.
Instituti i Gjeoshkencës këshillon vëmendje ndaj kushteve të motit, veçanërisht në zonat me rrezik për probleme nga reshjet intensive.
Lini një Përgjigje