Përdorues të WhatsApp në Shqipëri kanë raportuar marrjen e një mesazhi që i fton të klikojnë një link me pretekstin e një votimi.
Mesazhi paraqitet si një kërkesë personale, ku dërguesi pretendon se po kërkon mbështetje për një vajzë që merr pjesë në një konkurs vallëzimi. Në përmbajtje theksohet se votimi është i rëndësishëm dhe se çmimi për fituesin përfshin mësime falas për një vit.
"Përshëndetje! A mund të ndani pak kohë për të votuar Sarën? Ajo është vajza e shoqes sime dhe fituesi merr një vit mësime vallëzimi pa pagesë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të.”-thuhet në mesazh.
Pas klikimit të linkut, përdoruesit rrezikojnë të bien pre e një skeme mashtrimi që synon marrjen e të dhënave ose përhapjen e mëtejshme të mesazhit.
Ky model ka qarkulluar prej disa ditësh në platformë dhe është identifikuar nga përdorues në vende të ndryshme.
Autoritetet dhe specialistët e sigurisë këshillojnë që mesazhe të tilla të injorohen dhe të mos hapen linke nga burime të pasigurta, edhe kur ato duken si kërkesa personale.
Lini një Përgjigje