
Teksa procesi i rinumërimit të votave ka përfunduar, dhe pritet që të tabulohet rezultati në KQZ, anëtarët e KAS Koli Bele dhe Ledio Braho kanë folur për mediat.
Bele tha se procesi i rinumërimit ka qenë korrekt, ndërkohë që Braho theksoi se nuk kishte lëvizje të konsiderueshme votash që të bëjnë pis procesin.
"Nuk prodhoi asnjë ndryshim dhe rezultat. Procesi i tabulimit është duke mbaruar. Ka qenë korrekt, ka qenë i mundimshëm për stafin e KQZ", tha Bele.
Sipas Brahos, lëvizja e këtyre votave duket që është gabim dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash, këto vota do të shkonin te kandidatë të tjerë.
"Transparenca i shërben demokracisë. Pavarësisht se nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash që të bëjnë pis procesin. Disa nga qëndrimet e kandidatëve tregojnë se i kanë shërbyer procesit. Nuk kemi më akuza për trafikim votash në subjekte. Ato lëvizje që reflektohen dhe konsiderohen si vjedhje dhe manipulim nuk janë të tilla por gabime njerëzore apo çështje fletësh që janë të diskutueshme në lidhje me qëndrimin se kujt i takojnë.
Kini parasysh fletën e votimit të Tiranës. Emrat e kandidatëve janë të pandara në kuadrate. Nëse shikoni emrat dhe tipologjinë e votimit, ka njerëz që mund të kenë bërë gabime, se si e ka vlerësuar një grup ndryshon nga tjetri. Po të vini re shifrat janë më të larta te ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota. Duket që është proporcionalitet gabimi dhe jo i qëllimshëm, sepse nëse do të kishte trafikim votash, këto shifrat e mëdha do ishin te kandidatët që kanë marrë realisht pak vota. Nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme votash”, tha Braho.
Rinumërimi i votave nisi më 17 qershor në ambientet e Pallatit të Sportit “Fahrie Hoti” në Tiranë. Vendimi për rinumërimin e votave u mor nga dy anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe sanksioneve pas ankimimeve të subjekteve politike për parregullsi në proces.
Në Tiranë, Partia Demokratike kërkoi që të rifitojë një mandat që iu mor me një diferencë të ngushtë nga Partia Mundësia e Agron Shehajt.
Ndërkohë, në Partinë Socialiste ishin disa kandidatë që shpresojnë për vota më shumë, duke qenë se janë ndarë në një rezultat të ngushtë nga kolegët e tyre në zgjedhjet e 11 majit.
Lini një Përgjigje