Ish-prokurori Arjan Ndoja ka dëshmuar këtë premte në Gjykatën e Posaçme lidhur me atentatin e ndodhur në vitin 2019. Ai përshkroi momentet kur u qëllua mbi ta: “Sapo kaluam në mbikalim, filluan të shtënat. Fillimisht m’u duk si zhurmë plastike, por më pas kuptova që ishin plumba që vinin nga pas. Nuk pamë makinën, sepse nuk kishim si. Të shtënat dukeshin të vinin nga dy armë të ndryshme.”
Ndoja nënvizoi se ka tentuar të dalë nga makina por ka humbur ndjenjat nga një plagë e marrë dhe më pas kur është zgjuar e kanë dërguar në spital.
“Pas të shtënave u ul shpejtësia nga i ndjeri dhe dolëm nga rruga. Unë tentova të dal nga makina humba ndjenjat nga një plagë dhe më pas u zgjova dhe me çuan në spital. Të tre u plagosëm. Personi që kishte pas mori plagë. Shoferi, i ndjeri kishte një plumb pas në shpinë. Mori në telefon të atin, filloi të dal nga makina dhe ndjeu që ishte rëndë. Unë nuk kam dijeni kush më ka qëlluar dhe nuk kam pasur problem dhe siklet me asnjë njëri. Unë kam pasur vetëm një problem deklaratat e dy politikanëve në atë kohë.
Të pandehurit në këtë gjykim nuk i njoh, vetëm njëherë e kam parë fizikisht Plaurentin, ndërsa të atin e Julian Meces kam respekt, por nuk e njoh. Unë nuk di arsye pse këta e kanë bërë. Vetëm ca kam lexuar në media. Mua më intereson arsye pse u bë ky atentat. Se duket si çudi, por unë s’kam pasur asnjë problematik, asnjë shkak të besoj që dikush do më bënte atentat. Edhe 6 vite pas atij atentati unë nuk e kuptoj pse ka ndodhur”, ka dëshmuar Ndoja.
Lini një Përgjigje