
Ka përfunduar protesta e ‘Lëvizjes Bashkë’ e thirrur për të kundërshtuar prishjen e lulishtes pas Teatrit të Operas dhe Baletit dhe ndërtimin në vend të saj të një pallati.
Qytetarë të shumtë u mblodhën sot pasdite dhe thanë fjalën e tyre kundër prishjes së hapësirës së vetme të gjelbër të mbetur në kryeqytet.
Shumë prej tyre shprehën problematikën me të cilën Tirana po përballet vitet e fundit, si mungesa e hapësirave për pushim, parqeve dhe ndërtimet pa kriter.
“Këta ulërasin do të bëjmë Dubai, por Dubai ngrihet mbi asgjë. Hiqni dorë, mos ju bindni një njeriu pa dinjitet. Çdo pallat që ngrihet në Tiranë është një vrasje”, u shpreh një protestues.
Pedagogu Ervin Goci pjesë e kësaj proteste u shpreh se ky sistem nuk do të ndalojë deri sa të ndërtojë në çdo cep të vendit.
“Kjo kauzë dhe shumë kauza të tjera, ndërtimi në Tiranë nuk ka asnjë dallim nga inceneratori. Skema e inceneratorëve ndoshta është më e shpejtë, por skema të tilla janë grabitje. Toka këtu është pasuri publike, siç mbrohen taksat duhet mbrojtur edhe prona”, tha ai.
Ndërkohë anëtarët e Lëvizjes Bashkë të drejtuar nga Arlind Qori kanë paralajmëruar se protesta të tjera do të vijnë pas kësaj deri në ndalimin e punimeve.
Kujtojmë se lulishtja pas Pallatit të Operas dhe Baletit në qendër të Tiranës do të shkatërrohet. Në këtë hapësirë të gjelbër do të ndërtohet një kullë prej 185 metrash, duke shënuar kështu edhe një rekord për ndërtesën më të lartë të Tiranës dhe njëkohësisht duke zhdukur dhe hapësirën e fundit të gjelbër në qendër të kryeqytetit./Pamfleti
Lini një Përgjigje