
Anila Rezhda, eksperte gjyqësore ne Selanik thotë se asnjë person i cili ka punuar gjatë e madje ka blerë edhe shtëpi në Greqi, nuk do të mbetet pa pension.
Ajo tha se pavarësisht se për momentin po flitet shumë për skemën e pensioneve, në Greqi edhe ata që kanë punuar në të zezë për një kohë shumë të gjatë do marrin pension, ndërsa ata shqiptarë që kanë punuar që në fillim me siguracione, nuk kanë asnjë problem.
“Ata që janë futur që në fillim me siguracione, në këtë moment gëzojnë të drejta të plota e kanë pensione të plota. Ata persona që kanë punuar në të zezë, është gjithnjë problemi. Në momentin që këta kanë punuar në të zezë, i ka leverdisur edhe shtetit edhe personit.
Nuk ka asnjë shtet serioz në botë që të lejojë një njeri, i cili ka blerë edhe pronë, e ti thotë unë nuk do të jap pension. Sepse ai do taksën e pronës. Askush me një qëndrim të gjatë në këtë shtet, qoftë edhe me statusin e shtëpiakes në Greqi nuk mbetet pa pension.”,-tha Anila Rezhda në një intervistë për Euronews Albania.
Ndërkohë Shqipëria dhe Italia kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Rreth 500 mijë shqiptarë që punojnë në Itali do të përfitojnë, kur marrëveshja të miratohet në parlamentet e dy vendeve.
Procesi për njohjen e kontributeve ka nisur në vitin 2014 dhe tashmë është drejt përmbylljes.
Lini një Përgjigje