
Zbulohet plani i SHBA mbi fondet që do të shpërndajë për 6 shtetet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të akordojnë këtë vit 105.6 milionë dollarë me qëllim avancimin e reformave në Ballkanin Perëndimor.
Sipas raportit të buxhetit për vitin 2024 të bërë publik nga vetë Departamenti i Shtetit, shuma në fjalë do të shkojë për 6 vendet e rajonit (përfshirë dhe Shqipërinë) me fokus kryesor instalimin e shtetit ligjor, luftën ndaj korrupsionit, çuarjen para të reformave dhe marrjen e masave kundër ndikimit malinj rus.
“Ndihma e SHBA për Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë synon të mbështesë reformat në lidhje me anëtarësimin në BE, bashkëpunimin transatlantik dhe përpjekjet për të luftuar ndikimin dhe dezinformimin rus. Theksi i veçantë do të jetë te sundimi i ligjit dhe rritja e transparencës së qeverisjes, lufta kundër korrupsionit, forcimi i qeverisjes së mirë, mbështetja e shoqërisë civile dhe sigurimi i një pavarësie të sektorit mediatik”, theksohet në raportin e siguruar nga “Pamfleti”.
Po ashtu, një vëmendje e madhe do i jepet masave për të ndaluar largimin e të rinjve. SHBA duket se e sheh me shqetësim ikjen e asaj që quhet “truri”. Po ashtu do të ketë mbështetje për ecurinë e ekonomisë dhe rritjen e investimeve. Në buxhet theksohet se vëmendje e madhe i kushtohet dialogut Kosovë-Serbi.
“Programet e asistencës do të angazhojnë dhe fuqizojnë pushtetin vendor dhe të rinjtë për të katalizuar rritjen ekonomike, për të frenuar "ikjen e trurit" dhe promovuar bashkëjetesën mes etnive të ndryshme. Ndihma gjithashtu do të rrisë përgjegjshmërinë e qeverisë përmes një transaprece fiskale më të madhe. Financimi do të nxisë rritjen ekonomike të udhëhequr nga sektori privat, rritjen e sigurisë energjetike duke përfshirë energjinë e pastër, sigurinë kibernetike, një mjedis të shëndoshë financiar dhe rregullator, dhe do të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson raporti.
Sa i takon Shqipërisë, fokus i veçantë i kushtohet Reformës në Drejtësi. Në ditët në vijim “Pamfleti” do të publikojë raportin e plotë për vendin tonë, bashkë me sektorët kyç dhe se si ndahen fondet e SHBA.
Por, ajo që mund të themi është se amerikanët vijojnë ta bëjnë të qartë se korrupsioni është problem për ta. Po ashtu, drejtësia dhe instalimi i shtetit të së drejtës janë prioritetet kyçe, si në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Atëherë shtrohet pyetja: Për kë bien kambanat e SHBA? Cili nga pushtetarët do të përfundojë pas hekurave? /Pamfleti

Lini një Përgjigje