
Futjen e parave të pista në industrinë e ndërtimit nuk e vërtetojnë vetëm faktorët ekonomikë, por dhe raporti i Vlerësimit Kombëtar të Riskut që ka hartuar Agjencia e Inteligjencës Financiare. Raporti i dhjetorit të vitit 2023, vulos ndërtimin si sektorin kryesor ku pastrohen paratë e pista duke nxjerrë bankat si kanalin kryesor të transferimit të tyre.
“Sektorët ekonomikë më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë sektori i pasurive të paluajtshme, ndërtimi, tregtia, sektori i shërbimeve telematike (Call Center) dhe konsulenca në fushën ekonomike dhe ligjore.” thuhet në Vlerësimin Kombëtar të Riskut të hartuar nga Agjencia e Inteligjencës Financiare.
“Duhet të jetë e qartë që ka një sektor të ligjshëm ekonomik dhe një të paligjshëm që synon të integrohet me të ligjshmin. Nuk i takon çdo sektori ta bëjë mbrojten, por i takon sistemit.” thotë Arjan Dyrmishi, themelues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Raporti konstaton se në skemat për të pastruar paratë e pista përfshihen elementë ndërkombëtarë me kompani të regjistruara në parajsa fiskale por dhe biznese ekzistuese në Shqipëri, duke e komplikuar zbulimin e tyre.
“Skemat rast pas rasti përfshijnë edhe elementë ndërkombëtar të krijuara qëllimisht, apo edhe përfshirje të bizneseve ekzistuese, elementë që synojnë të pengojnë identifikimin, gjurmimin e burimit dhe qëllimin përfundimtar të përdorimit të të ardhurave kriminale.” konstaton raporti.
Bankat dhe profesionet e lira përdoren masivisht për të kaluar transferta të parave me burime të jashtëligjshme.
“Kanalet më të përdorur janë sistemi bankar dhe kategori të profesioneve të caktuara jofinanciare. Ky rezultat bazohet në disa aspekte si natyra e ekonomisë në vendin tonë, e cila përfshin kategori subjektesh tradicionalë dhe të përqendruar kryesisht në sektorin bankar, ndërkohë që subjektet e tjera financiare janë ende me zhvillim minimal krahasuar me bankat.”
“Është e rëndësishme për t’u parë nëse raporti i ardhshëm do të jetë identik si ky. Atëherë ne thjesht bëjmë konstatim nga institucionet që mund t’i bëjë kushdo. Për aq sa nuk më rezultojnë risqe të reja, por ka më shumë se 1 dekadë që janë, fakti që vazhdojnë t’i kemi kaq të lartë, sjell nevojën për të parë si këto risqe duhet të adresohen dhe mitigohen.” sqaron eksperti Arjan Dyrmishi, themelues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Kalimi i fondeve nga bankat është i pashmangshëm, thotë raporti i Agjencisë së Inteligjencës financiare.
“Përdorimi i sistemit bankar është përgjithësisht i pashmangshëm në një apo më shumë faza të pastrimit të parave (vendosja, shtresëzimi, integrimi), për shkak të natyrës së qenësishme të operacionit bankar, zhvillimit të tij dominues në vendin tonë krahasuar me subjekte të tjera financiare, madhësisë dhe rëndësisë së tij, si dhe për shkak të numrit të madh të klientëve apo transaksioneve të kryera në emër të tyre.”
Rastet të cilat dyshohen më shumë për pastrimin e parave janë transfertat ndërkombëtare brenda vendit hyrëse dhe dalëse, depozitimet në ‘cash’ dhe tërheqjet në ‘cash’.
Volumet e shumta të transaksioneve që kryhen përmes sistemit bankar e bëjnë të pamundur identifikimin e të gjitha transfertave të dyshimta dhe kontrollin e tyre nga autoritetet.
“Për sa i përket përdorimit të transfertave bankare, ndër karakteristikat që i bëjnë ato tërheqëse për rastet e pastrimit të parave janë vështirësia për të monitoruar ose kontrolluar transfertat elektronike në nivel të njëjtë me produkte të tjera bankare për shkak të vëllimit të transaksioneve, fondet mund të transferohen përmes juridiksioneve të ndryshme në mënyrë që të humbasin gjurmët e burimit, apo transferimet mund të bëhen nga një numër i madh llogarish bankare në depozitat që janë krijuar, për të humbur gjurmët e llogarisë kryesore shpesh të vendosur jashtë vendit.” sqaron raporti i Vlerësimit Kombëtar të Riskut.
Kanale të tjera që konsiderohen me risk për pastrimin e parave janë dhe agjencitë e dërgesave nga jashtë dhe zyrat e këmbimit valutor.
“Për sa i përket zyrave të këmbimit valutor nuk është evidentuar ndonjë risk specifik, por natyra e biznesit lidhur me përdorimin e parasë ‘cash’ dhe kuptueshmëria ende jo në nivelin e duhur për detyrimet dhe risqet të parandalimit të pastrimit të parave, mund të konsiderohen si elementë që rritin cënueshmërinë. Brenda sektorit financiar jo-bankë, subjektet që ofrojnë transferimin e parave paraqesin një risk të shtuar për pastrim parash.”
Të dhënat e përpunuara nga Agjencia e Inteligjencës Financiare të 3 vjeçarit të fundit evidentojnë se shumica e parave të pista kanë si burim paratë kriminale të gjeneruara jashtë Shqipërisë.
“Nga kryqëzimi i të dhënave të institucioneve përkatëse, rezulton se krimi i kryer jashtë vendit mbizotëron ndaj atij vendas për sa i përket krijimit të pasurive kriminale. Nga kryqëzimi i informacionit që Agjencia e Inteligjencës Financiare ka dërguar në Polici dhe Prokurori, referimet e Policisë së Shtetit në Prokurori, procedimet penale të regjistruara nga Prokuroritë, vlerësimet e institucioneve ligjzbatuese, institucioneve mbikëqyrëse dhe të sektorit privat, rezulton se shtatë grup-veprat kryesore të gjenerimit të të ardhurave kriminale, janë prodhimi, kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, vepra penale në fushën tatimeve dhe doganave, krimi i organizuar, korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës, falsifikimi, mashtrimi dhe vjedhja e pasurisë.”
“Edhe bankat duhet të jenë objekt monitorimi të dedikuara jo vetëm nga Banka e Shqipërisë por dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare që e ka detyrim që të kontrollojë këtë qarkullim të fondeve në sistemin bankar, i cili si në gjithë botën nuk është i imunizuar nga elementët e pastrimit të parasë.” thotë Eduart Gjokutaj, ekspert i qendrës “Altax”.
Një vëmendje të shtuar për profesionet që ndihmojnë në pastrimin e parave, njësia publike që parandalon pastrimin e tyre konsideron atë të noterit, i cili ka një rol kryesor në lidhjen e kontratave të biznesit, kredisë, shit-blerjeve të pasurive të patundshme dhe kuotave të biznesit dhe kalimin e fondeve.
“Profesioni i noterit është perceptuar dhe ka rezultuar edhe nga të dhënat si ndër më të cënueshmet krahasuar me subjektet e tjera për shkak se noteri në Shqipëri ka një rol qendror, si dhe kryen një gamë të gjerë të veprimeve juridike si huadhënie dhe kontrata kredie, për pjesën më të madhe të të cilave është mundësia e vetme për veprimet, përfshirë këtu edhe transaksionet e pasurive të paluajtshme.”
Me risk vlerësohen dhe profesionet e avokatit, audituesit ligjor, kontabilistit dhe ndërmjetësit të pasurive të patundshme.
“Fushat ekonomike të përdorura për pastrim parash, tipologjitë e disponueshme dhe shërbimet e ofruara, vlerësohet se audituesi ligjor, kontabilisti i miratuar, lojërat e fatit, sektori i tregtimit të mjeteve motorike dhe ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme, shfaqin nivel risku mesatar për pastrimin e parave, noterët nivel të lartë dhe kategoritë e tjera të ulët.” konstaton raporti.
Nga të dhënat e raportuara për vitin 2022 në raportin vjetor të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, rezulton se kompanitë e ndërtimit nuk kanë raportuar asnjë rast të dyshimitë, agjentët imobiliarë vetëm 1 rast, ndërsa rritje të numrit të raportimeve kanë patur noterët me 734 raste, të ndjekur nga bankat me 660 raste, shoqëritë e transfertave me 293, ndërsa autoritetet publike kanë numrin më të ulët. Agjencia e Kadastrës ka raportuar vetëm 22 raste, doganat me 25 dhe tatimet 9 raste.
“Sa prona shiten dhe më pas të pyesim sa prona janë financuar me kredi. Mendoj që duhet të flasim më të dhëna të sakta dhe banka qëndrore duhet të ketë më shumë të dhëna se përse janë dhënë kreditë dhe sa prona janë shitur dhe me çfarë çmimi. Jo për çdo gjë duhet vënë gishti te paraja gri.” sqaron Reinaldo Pipiria, drejtor i Shoqatës së Tregut Imobiliar.
Dy nga sektorët që janë të lidhur direkt me pastrimin e parave shoqëritë e ndërtimit dhe agjentët e pasurive të patundshme kanë numrin më të ulët të raportimeve historikisht, shifra që numërohen me gishtat e duarve ndër vite. Në 5 vitet e fundit kompanitë e ndërtimit kanë raportuar vetëm 9 raste të dyshimta ndërsa agjentët e tregut të shitblerjeve të banesave 1 rast. /MCN
Lini një Përgjigje