
Patriarku i Moskës dhe Gjithë Rusisë, Kirill ka dërguar një mesazh ngushëllimi për Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse të Shqipërisë pas ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas.
Në mesazhin e tij, Patriarku Kirill shpreh ngushëllimet e tij për kishën Ortodokse të Shqipërisë, në emër të Kishës Ortodokse Ruse, por dhe në emrin e tij personal. Ai vlerësoi Kryepeshkopin Janullatos për përkushtimin që i dha Kishës Ortodokse gjatë gjithë jetës së tij të gjatë.
Patriarku nënvizoi punën e jashtëzakonshme të Kryepeshkopit Anastas në ringjalljen e Kishës Ortodokse Shqiptare, duke e vlerësuar atë si një misionar të zjarrtë dhe një udhëheqës të palodhur. Patriarku vlerësoi ringritjen që Janullatos i dha jetës kishtare në Shqipëri, pas persekutimeve të rënda që kishte kaluar Kisha Ordodokse gjatë regjimit komunist.
“Kam pasur një marrëdhënie të gjatë vëllazërore me të. Ai vizitonte vazhdimisht Kishën Ortodokse Ruse dhe mori pjesë në festimet e kishës që ishin të rëndësishme për ne,” shkruan Patriarku Kirill, duke kujtuar vizitën e tij në Shqipëri në vitin 2018.
Patriarku përshëndet edhe karakterin e fortë të Kryepeshkopit Anastas, i cili ishte një ruajtës i traditave të shenjta dhe një njeri besnik ndaj Krishtit dhe Kishës së Tij.
“Zoti e preftë shpirtin e shërbëtorit të Tij besnik në banesat qiellore, ku nuk ka sëmundje, pikëllim, rënkim, por jetë të përjetshme”, përfundon mesazhi i Patriarkut Kirill.
Ndërkohë, edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Rumune, Daniel ka dërguar një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Në mesazhin e tij, Patriarku Daniel shpreh pikëllim të thellë për humbjen e Kryepeshkopit Anastas dhe u shpreh ngushëllime të përzemërta anëtarëve të Sinodit të Shenjtë dhe gjithë Kishës Ortodokse të Shqipërisë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga kjo botë të vëllait tonë të dashur në Krisht, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit të bekuar të kujtimit, personalitetit të njohur të Ortodoksisë bashkëkohore dhe mik të ngushtë të Kishës Ortodokse Rumune”, thuhet në mesazhin e Patriarkut.
Ai gjithashtu shpreh lutjen që Zoti Jezu Krisht, i cili është ringjallja dhe jeta, të pushojë shpirtin e Kryepeshkopit Anastas në një jetë të përjetshme, pa dhimbje dhe vuajtje.
“Një kujtim i përjetshëm për të, brez pas brezi,” përfundon mesazhi i Patriarkut të Kishës Ortodokse Rumune.
Lini një Përgjigje