
Teologu Miron Çako ka folur lidhur me ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Ai ka folur lidhur me procedurat e përzgjedhjes së Kryepeshkopit të ri.
Sipas tij, pas vdekjes së Kryepeshkopit, Sinodi i Kishës do të mblidhet për të zgjedhur pasuesin në një proces demokratik.
Çako shpjegoi mbi procedurën që do të ndiqet për zgjedhjen e pasardhësit të Janullatos ndërsa u shpreh se sipas statutit të Kishës, drejtuesi i ardhshëm duhet të ketë nënshtetësi shqiptare, një kriter ky që është përcaktuar në mënyrë të qartë.
“Mbasi ndërron jetë një Kryepeshkop, pritet 40 ditë dhe Sinodi mblidhet për të zgjedhur në mënyrë demokratike me vota pasuesin. Dhe në këtë rast do bëhen të gjithë nderimet që i takojnë figurës së tij dhe më pas do mblidhet Sinodi i cili përbëhet nga nënshtetas shqiptar peshkopë kemi dhe nënshtetas grekë por vetëm kryepeshkopi e kishte marrë nënshtetësinë Shqiptare nga të gjithë nënshtetasit grek që kanë dhënë kontributin në Kishën Autoqefale të Shqipërisë. Ne sot kemi episkopë dhe mitropolitë me nënshtetësi shqiptare, dhe sipas statutit, jo sipas preferencave, duhet të jenë ata që do të udhëheqin Kishën”, tha Çako për “Euronews Albania”.
Ai shtoi se, ndonëse nuk mund të zbulonte emrin e pasardhësit, deri në përzgjedhjen e tij, peshkopi i Krujës do të mbajë përgjegjësinë për udhëheqjen e Kishës.
“Është një proces që ne e dimë dhe nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Pas Kryepeshkopit Janullatos, do të zgjidhet një pasardhës me nënshtetësi shqiptare. Sipas statutit të Kishës duhet të jetë me shtetësi shqiptare pra është një gjë që nuk na shqetëson është diçka që ne e dimë dhe nuk do ketë shumë kërshëri prandaj të qetësohen të gjithë sepse në Kishën Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë do të vendoset një nënshtetas shqiptar”, u shpreh teologu.
Lini një Përgjigje