Gjykata ka pranuar ankimimin dhe ka vendosur ta kalojë për shqyrtim në seancë plenare. Por derisa të mbarojë shqyrtimi gjyqësor, ligji do të quhet i pezulluar...
Qeveria ka marrë një tjetër goditje nga Gjykata Kushtetuese. Grupi i gjyqtarëve kanë vendosur të pezullojnë zbatimin e ligjit për studentët e Mjekësisë derisa të merret një vendim përfundimtar.
Qeveria vendosi që të bllokojë diplomat për studentët e Mjekësisë për 5 vite, me qëllim që ata të mos ikin jashtë vendit. Ligji kaloi me urgjencë në Kuvend, por u kundërshtua nga studentët, të cilët kanë bërë dhe protesta. Në mbështetje të tyre dolën deputetët e opozitës, të cilët mundësuan ankimimin e ligjit në Kushtetuese.
Gjykata ka pranuar çështjen dhe ka vendosur ta kalojë në seancë plenare. Por derisa të mbarojë shqyrtimi gjyqësor, ligji do të quhet i pezulluar, që do të thotë se nuk mund të ketë bllokim të diplomave derisa të flasë në fund gjykata me një vendim. Kjo është goditja e dytë që merr qeveria brenda pak ditësh, pasi më 8 nëntor u vendos të pezullohej dhe ligji për pronat derisa të ketë një vendim final.
Sa i takon ligjit, studentët duhet fillimisht të firmosin një marrëveshje me qeverinë. Sipas kësaj marrëveshjeje, ata që pranohen në programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë, përfiton trajtim të veçantë.
“Nënshkruan marrëveshje, para regjistrimit të tij si fitues në këtë program, e cila lidhet ndërmjet tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit të arsimit të lartë publik për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve, për jo më pak se 5 (pesë) vite në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë. Pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5 (pesë)-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare”, thuhet në ligj.
Për studentët e vitit të dytë, tretë dhe katërt parshikohet të ketë një bllokim diplome për 3 vite, ndërsa për ata të viteve të pesta dhe të gjashta për 2 vite. Kush refuzon ta firmosë këtë marrëveshje, do të detyrohet të paguajë miliona. Kjo duket se është dhe metoda e qeverisë që t’i detyrojë të gjithë të firmosin kontratën.
“Studenti, që nuk pranon të nënshkruajë marrëveshje për të punuar në një institucion shëndetësor në Republikën e Shqipërisë, publik ose privat, nga data e lindjes të së drejtës për punësim me ministrinë përgjegjëse për arsimin, ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionin e arsimit të lartë publik, sipas përcaktimeve të nenit 4, të këtij ligji, paguan vlerën e plotë të kostos së studimeve. Metodologjia për përcaktimin e kostos së studimeve për programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe çdo mbështetje tjetër për studentët e këtij programi studimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thekson ligji.
Vendimi i Kushtetueses
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sot në datën 14.11.2023, pasi mori në shqyrtim kërkesën nr. 1 (Nj) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (jo më pak se një e pesta e deputetëve) dhe Anxhela Gjini, Alesia Cara, Diora Hoxha, Argisa Troka, Xhesika Xhebexhiu, Juri Taullau, Sindy Allamani, Isabela Tabaku, Dea Guri, Natali Bliu, Joel Plaku, Mikel Seferi, Reant Kullaj, Brunelio Fejzulla, Viki Zaçlli, Rei Haluli, Feruze Agalliu, Oresti Çaça, Marjo Rabiaj, Paulo Qesargjoni, Endi Muçi, Arbëri Shehu, Samuel Dërka, Thimi Shkarpa, Kristina Çelanji, Athina Prifti, Almira Tota, Zino Veleshnja, Erdi Podo, Anxhela Miraka, Gani Krrashi, Klevi Gugallja, Flavio Elezi, Ledion Mane, Eugen Lazaj, Igli Hoxhaj, Arlind Kasëmi, me objekt “Shfuqizimi i nenit 4, pikat 1, shkronja “c”, 2, shkronja “b”, 3, shkronja “b” dhe nenit 5, fjalia e parë, të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,
VENDOSI:
1. Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.
Lini një Përgjigje