TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Nëntor 2023, 16:32

Futet sërish në ngërç kompensimi i pronave, Kushtetuesja pezullon zbatimin e ligjit

Shkruar nga Pamfleti

Futet sërish në ngërç kompensimi i pronave, Kushtetuesja

Pas vendimit në 2021 që rrëzoi ligjin e pronave, Kushtetuesja ka pezulluar zbatimin e ndryshimeve të reja....

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pas rrëzimit që ju bëri disa neneve 2 vite më parë dhe detyroi Ministrinë e Drejtësisë ta hartonte nga fillimi ligjin, Kushtetuesja e ka pezulluar zbatimin e tij.

Këtë herë shkak është bërë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Ata kanë bërë një padi duke e cilësuar të padrejtë ligjin dhe Kushtetuesja ka marrë një vendim dje, duke bërë pezullimin e tij derisa të merret një vendim përfundimtar.

Bazuar në nenet 32 dhe 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenet 11, pika 3, shkronja “f”, 26 dhe 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, vendosi:

1. Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike.

2. Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 77/2022, datë 17.11.2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave””, thekson Kushtetuesja.

Futet sërish në ngërç kompensimi i pronave, Kushtetuesja

Detajet e ligjit

Ligji i ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin” u miratua në nëntor të vitit që lamë pas dhe nis zbatimin në fillim të 2023. Opozita doli kundër, ndërsa mjaftuan 74 vota të socialistëve që drafti të kalonte. Ligji u ndryshua pasi Kushtetuesja rrëzoi skemën e kompensimit dhe qeveria u detyrua të ndërhynte.

Sipas ligjit të ri, më shumë se 10 mijë dosje do të rivlerësohen nga e para me skemën e re, ndërsa të penalizuar janë ata pronarë që preken nga ndryshimi i zërit kadastral, të cilët do të duhet të mjaftohen vetëm me 10 për qind të vlerës që ka prona sot në treg.

Por një ndryshim i rëndësishëm është edhe hapja e afatit për dosjet e patrajtuara në fazën e parë. Janë më shumë se 7 mijë dosje, një pjesë prej të cilave në Gjykatën e Shkallës së Parë, të cilat do të rimerren në shqyrtim nga Agjencia e Pronave. Afati për rivlerësimin e tyre përfundon në 31 dhjetor 2024.

Skema e re

Kështu, pavarësisht kontestimeve dhe betejave ligjore me grupet e interesit, qeveria nuk hoqi dorë nga skema e vlerësimit të pronës, bazuar mbi zërin kadastral të saj në kohën e shpronësimit. Pra, nëse ka qenë tokë bujqësore, vlera e kompensimit do të jetë për tokë bujqësore dhe nëse ka qenë tokë truall, do të kompensohet si e tillë edhe sot. Por gati gjysma e vendimeve janë pasuri që kanë qenë jashtë vijës së verdhë, ndërsa sot kanë statusin e tokës truall.

Këto familje do të përfitojnë vetëm 10 për qind të vlerës që kjo pronë ka sot në treg. “Vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare duhet të sigurojë që vlera e përgjithshme e kompensimit, pavarësisht formës së kompensimit, të jetë jo më pak se 10 për qind e vlerës së pronës, të llogaritur sipas zërit kadastral aktual. Për këtë qëllim, kur pronës së njohur për kompensim i ka ndryshuar zëri kadastral, si dhe nga vlerësimi i vendimeve përfundimtare, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, rezulton që subjekti i shpronësuar përfiton më pak se 10 për qind të vlerës së pronës së llogaritur sipas zërit kadastral aktual, prona e njohur për kompensim vlerësohet në bazë të zërit kadastral aktual”, thuhet në ligj.

Gjithsej, janë më shumë se 25 mijë vendime në pritje të ekzekutimit. Në ligjin e ndryshuar përcaktohet që për rastet kur është njohur e drejta e kthimit dhe kompensimit të pronës, qytetarët do të marrin diferencën kur vlera e pronës së kthyer është më e ulët se vlera e pronës së mbetur për kompensim. Por, kjo do të ndodhë në ato raste kur nuk ka ndryshim të zërit kadastral. Pra, toka ka të njëjtin status si në kohën e konfiskimit. Në të kundërt, pra, kur një sipërfaqe toke, e cila ka qenë jashtë vijës së verdhë, ose tokë bujqësore dhe sot është tokë truall, pronarët do të marrin vetëm 10 për qind të diferencës. Thënë më thjeshtë, nëse diferenca mes pronës së kthyer dhe asaj të mbetur për kompensim pas rivlerësimit rezulton 10 milionë lekë, pronarët do të marrin vetëm 1 milionë lekë.

Ligji i ndryshuar përcakton edhe zgjatje e afatit me dy vite, përkatësisht deri në 31 dhjetor 2024 për shqyrtimin e dosjeve të patrajtuara.

Por tani ligji është pezulluar. Komuniteti Mysliman pretendon se nuk përfiton tokat që i takojnë me këtë skemë dhe tani do të nisë sërish kalvari i kompensimit. Pas vendimit të parë të Kushtetueses, procesi u bllokua për afro 2 vite. Por duket se tani kemi tjetër pengesë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje