
Çdo punonjës i Policisë së Shtetit i rolit zbatues do të përfitojë një shpërblim prej 10 mijë lekësh. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për këtë vit.
Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, i cili shprehet se qeveria ka vlerësuar e vlerëson rolin e Policisë së Shtetit për rritjen e sigurisë.
“Punonjësit e Policisë në bashkëpunim me autoritetet e tjera kanë shënuar rezultate të rëndësishme, duke garantuar më shumë siguri dhe një sezon turistik të qetë. Ky shpërblim është gjithashtu një nxitje për të vijuar punën me të njëjtin përkushtim, për përmirësimin më tej të standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.
Jam i bindur se me mbështetjen e Qeverisë dhe përkushtimin e efektivëve të saj, Policia e Shtetit do të vijojë të jetë një shembull i suksesshëm i forcës dhe besueshmërisë në shërbim të qytetarëve, sepse viti që vjen do të na përballë me sfida të tjera, siç janë organizimi i zgjedhjeve të lira e demokratike, ku Ministria e Brendshme dhe Policia kanë një rol kyç, por edhe sfidat e tjera kundër krimit të organizuar dhe paligjshmërisë në vend”, shkruan ministri.
Por duket se dhe ky shpërblim është në kuadër të fushatës që ka nisur kryeministri për të mbledhur sa më shumë vota. Pas pensionistëve dhe familjeve në nevojë, duket se kërkon të bindë dhe policët.
Lini një Përgjigje