TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Mars 2026, 14:00

“Pas çdo diagnoze qëndron një histori njerëzore”, Begaj: Roli i mjekut në shoqëri, i pazëvendësueshëm

Shkruar nga Pamfleti
“Pas çdo diagnoze qëndron një histori
Presidenti Bajram Begaj

“Mjekësia, profesioni i mjekut, nuk është thjesht zanat; është një mënyrë të menduari që e merr me vete kudo. Ajo të mëson të dëgjosh dhe të hulumtosh me kujdes, të kërkosh shkakun përtej simptomës dhe të mos harrosh se pas çdo diagnoze qëndron një histori njerëzore”. Kështu u shpreh Presidenti Bajram Begaj, teksa përshëndeti sot Konferencën e XXII Kombëtare të Gastro- Entero- Hepatologjisë

I ftuar në këtë aktivitet nga Shoqata Shqiptare e Gastro- Entero-Hepatologjisë, Begaj, një mjek me profesion, vuri theksin në rëndësinë e mjekut në shoqëri, duke vënë në pah humanizmin, profesionalizmin, integritetin dhe sakrificën.

Kreu i Shtetit u ndal te rëndësia e marrëdhënies mes mjekut dhe pacientit, duke e cilësuar të pazëvendësueshëm rolin human të mjekut dhe përgjegjësinë e tij përballë transformimeve teknologjike.

Presidenti Begaj përcolli mesazhin për rritjen e besimit në marrëdhënien pacient–mjek dhe në trajtimin mjekësor, në mënyrë që në klinikat dhe spitalet tona pacienti të ndiejë se shkenca dhe humanizmi ecin krah për krah.

“Kjo konferencë është dëshmi e qartë se mjekësia shqiptare është në lëvizje, zhvillohet, përditësohet dhe sfidon veten. Diskutimet mbi risitë në diagnostikim, trajtim, përvojat klinike dhe kërkimet shkencore nuk janë vetëm shkëmbim informacioni, por investim i drejtpërdrejtë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve”, deklaroi Presidenti Begaj.

“Pas çdo diagnoze qëndron një histori

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për platforma të tilla diskutimi që kontribuojnë në avancimin e mjekësisë shqiptare.

“Konferenca XXII Kombëtare e Gastro- Entero- Hepatologjisë nuk është thjesht një mbledhje shkencore e radhës; është vendi ku bashkohen mendja, përvoja dhe pasioni i mjekësisë shqiptare”, vlerësoi Presidenti Begaj.

Sipas tij, sistemi shëndetësor nuk qëndron mbi ndërtesa, por mbi profesionalizmin, integritetin dhe sakrificën tuaj. Ai shtoi se sfidat me të cilat përballet mjekësia sot, përfshirë inteligjencën artificiale.

“Teknologjia ndihmon, inteligjenca artificiale orienton. Por vendimin e merr mjeku. Sepse mjekësia nuk është vetëm shkencë; është gjykim dhe përgjegjësi, është etikë dhe marrëdhënie njerëzore. Brenda pak sekondash, inteligjenca artificiale mund të analizojë mijëra imazhe endoskopike, por ajo nuk mund të ndiejë shtrëngimin e dorës së një pacienti që ka frikë nga diagnoza”, u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënies pacient–mjek, e cila nuk duhet të cenohet nga këto zhvillime.

“Pas çdo diagnoze qëndron një histori

Në përmbyllje, në një reflektim filozofik mbi sfidat e mjekësisë mes shkencës dhe humanizmit, Presidenti Begaj iu referua veprës së Pikasos “Shkenca dhe Bamirësia”:

“Posteri i konferencës të kujton disi pikturat e Picasso-s. Duke hulumtuar, pashë se, pavarësisht se ka kaluar më shumë se një shekull, vepra e tij ‘Shkenca dhe Bamirësia” mund të na ofrojë ende reflektime të rëndësishme mbi praktikën mjekësore, ndërlidhjen e saj me standardet socio-kulturore, si dhe mbi disa nga sfidat e sotme dhe të ardhshme të mjekësisë.”

begaj mjeku konferenca

Lini një Përgjigje