TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Mars 2026, 10:31

29 vite nga tragjedia e Otrantos, familjarët e viktimave: Të lodhur nga padrejtësia, krim njerëzor!

Shkruar nga Pamfleti

29 vite nga tragjedia e Otrantos, familjarët e viktimave: Të lodhur

Qyteti i Vlorës ka përkujtuar këtë të shtunë 29-vjetorin e Tragjedisë së Otrantos, një nga ngjarjet më të rënda në historinë moderne shqiptare, ku humbën jetën 81 persona.

Në një ceremoni përkujtimore buzë detit, familjarë të viktimave, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qytetarë vendosën 81 karrige të boshatisura, si simbol i jetëve të humbura. Në kujtim të viktimave, u hodhën gjithashtu lule në det.

Aktiviteti u organizua me iniciativën e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe deputetes së qarkut Vlorë, Erjona Ismaili, e cila theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive.

“Për këdo, kjo tragjedi ka lënë një shenjë që as nuk zhbëhet e as nuk zbehet. Do t’i përkujtojmë çdo vit. Të paharruar qofshi. Ajo që mund të bëjmë sot është që të mos përsëriten më tragjedi të tilla”, u shpreh Ismaili për "Report TV".

Edhe kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini, e cilësoi këtë përvjetor si një moment reflektimi.

“Duke ecur, dhimbja ecën bashkë me ne. Gjithmonë do jetë e vështirë të flasësh për tragjedinë e Otrantos”, tha ajo.

Ndërkohë, familjarët e viktimave shprehën sërish zhgënjimin për mungesën e drejtësisë, duke e cilësuar ngjarjen si të qëllimshme dhe procesin gjyqësor të padrejtë.

“Kjo tragjedi është e krijuar me dashje. Sot familjarët përballen me një dhunë psikologjike… Vendimi i gjykatës italiane ka qenë i padrejtë. Gjyqi është mbyllur, por nuk mbyllet një krim njerëzor”, u shpreh një prej tyre.

Një tjetër familjare theksoi mungesën e vëmendjes institucionale ndër vite: “Ata për ne do të mbeten të paharruar. Varrezat i bëri shteti atëherë, tani i kanë lënë në harresë”.

Tragjedia e Otrantos ndodhi më 28 mars 1997, kur një anije shqiptare me 142 persona në bord u përplas dhe u përmbys në kanalin e Otrantos nga anija italiane “Sibila”. Si pasojë humbën jetën 81 persona, mes tyre edhe fëmijë, që po përpiqeshin të largoheshin nga Shqipëria në një periudhë trazirash për një jetë më të mirë.

Lini një Përgjigje