
Në pjesën më të madhe të territorit priten reshje shiu, ndërsa në zonat malore rikthehet bora
Shqipëria do të ndikohet këtë të shtunë (28 mars), nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me kthjellime të herëpashershme.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme që në orët e para të ditës, fillimisht përgjatë vijës bregdetare, me intensitet kryesisht të ulët. Gjatë orëve të ditës, reshjet do të shtrihen në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në zonën perëndimore priten edhe shtrëngata afatshkurtra. Në mbrëmje, reshjet do të tërhiqen gradualisht, duke mbetur kryesisht në jugperëndim dhe me intensitet të ulët.
Në zonat malore, veçanërisht në Alpe dhe në verilindje mbi 700–900 metra lartësi, si dhe në lindje-juglindje mbi 900–1000 metra, priten reshje bore me intensitet të ulët deri mesatar.
Era do të fryjë me drejtim nga verilindja në veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në zona të caktuara, si lugina dhe bregdeti, era mund të arrijë deri në 15 m/s.
Sa i përket detit, valëzimi në Adriatik dhe Jon parashikohet të jetë i forcës 2 deri në 4 ballë.
Temperaturat do të luhaten ndjeshëm nga zonat malore drejt bregdetit, me vlera minimale që zbresin deri në -1°C në disa qytete verilindore dhe maksimale që arrijnë deri në 14°C në ultësirën perëndimore.


Lini një Përgjigje