
Ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese seanca lidhur me kërkesën për rritjen e pagës së gjyqtarëve, ku palë kërkuese ishin Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve.
Pas 7 orësh seancë, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për vendim, i cili pritet të bëhet publik brenda pak ditësh. Në këtë seancë janë dëgjuar të gjitha palët: Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi.
Parlamenti, ndërhyri në vitin 2021 në ligj dhe bëri ndryshime të tilla që normuan si të drejtë llogaritjen e bërë nga KLGJ-ja dhe anashkaluan propozimet e KLSH-së. Këto ndryshime u panë nga gjyqtarët si ulje page dhe shkelje e nenit 138 të Kushtetutës, ku për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, nuk lejohen ndërhyrje të kësaj natyre. Unioni kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve dhe Gjykata Kushtetuese vendosi në vitin 2022 ta pranonte padinë, duke shfuqizuar nenet e ndryshuara të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” mbi pagën referuese. Kushtetuesja i kërkoi Kuvendit të rishihte ligjin dhe të qartësonte referencën për pagën e magjistratëve.
Në vitin 2023, Kuvendi bëri ndryshime të reja, nisur nga vendimi i Kushtetueses, duke e lidhur pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës. Ky ndryshim solli rritje të pagave të magjistratëve, siç parashikohej në ligjet për reformën në drejtësi, dhe rriti me 570 lekë edhe pagën referuese. Në të njëjtën kohë u miratuan edhe ndryshimet në pagat e administratës civile, të cilat u rritën disa herë.
Gjyqtarët, paga referuese e të cilëve lidhej tani me atë të presidentit, nuk përfituan nga kjo rritje pagash. Për Unionin e Gjyqtarëve, këto ndryshime bien ndesh me nenin 138 të Kushtetutës.
Unioni interpreton se shkëputja e pagës së gjyqtarëve nga administrata civile dhe mos përfitimi prej tyre i rritjeve që u bënë pagave të administratës sjell në një mënyrë “një ulje faktike të pagës, pavarësisht se, formalisht, paga nuk është ulur, madje është rritur me 570 lekë”. Unioni thotë se me ndryshimet e sistemit të pagave në vitin 2023, magjistratëve u mohohet një rritje page prej 78 mijë lekësh.
Lini një Përgjigje