
Banorët e fshatit Barbullojë, në Lezhë, kanë dalë në protestë për shkak të problemeve të përsëritura me furnizimin me energji elektrike, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në rrjetin që, sipas tyre, është i amortizuar dhe i pasigurt.
Sipas banorëve, situata është përkeqësuar që nga mbrëmja e së dielës, kur disa familje kanë mbetur në errësirë dhe kanë pësuar dëmtime të pajisjeve elektroshtëpiake për shkak të luhatjeve të tensionit.
Ata shprehen se defektet e vazhdueshme jo vetëm u kanë shkaktuar humbje materiale, por edhe kanë rrezikuar jetën në banesa.
“Amortizimi i rrjetit elektrik na ka djegur elektroshtëpiaket dhe na ka vënë në rrezik jetën brenda shtëpive”, shprehen banorët, duke theksuar se problemi është i kahershëm dhe i përsëritur.
Të revoltuar, ata deklarojnë se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme, nuk është kryer asnjë investim për përmirësimin e rrjetit.
“Kjo situatë po përsëritet dhe po bëhet e papërballueshme për ne. Rrjeti është në gjendje të rënduar dhe askush nuk ka ndërhyrë”, thanë protestuesit për "Syri Tv".
Nga ana tjetër, autoritetet kanë kryer inspektime në zonë dhe, sipas banorëve, kanë premtuar se situata do të rregullohet. Ende nuk ka një afat konkret për ndërhyrjet e paralajmëruara.
Lini një Përgjigje