Pothuajse gjysma e shtetasve shqiptarë ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë, sipas shifrave zyrtare
Numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit arrin në mbi 2.25 milionë persona. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se diaspora përfaqëson rreth 49 për qind të shtetasve shqiptarë në total.
Sipas shifrave të publikuara nga Dhoma e Biznesit të Diasporës, jashtë territorit të Shqipërisë rezultojnë 2,256,346 shtetas. Prej tyre, 1,177,529 janë meshkuj dhe 1,078,817 janë femra.
Të dhënat mbi strukturën e moshës tregojnë se pjesa më e madhe e diasporës përbëhet nga individë në moshë pune. Rreth 77 për qind janë të grupmoshës 15 deri në 64 vjeç. Fëmijët nga 0 deri në 14 vjeç përbëjnë 18 për qind të totalit, ndërsa 5 për qind janë mbi 65 vjeç.
Sipas përllogaritjeve të bazuara në të dhënat e Institutit të Statistikave për vitin 2025, diaspora e re shqiptare llogaritet në rreth 2.25 milionë shtetas jashtë vendit. Megjithatë, nuk ekziston një shifër plotësisht e saktë për shkak të lëvizjeve të vazhdueshme dhe kompleksitetit të fenomenit.

Shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë kontribuojnë në ekonominë e vendit përmes remitancave, të cilat kalojnë 1 miliard euro në vit, si edhe përmes angazhimeve profesionale dhe rrjeteve të bashkëpunimit.
Lini një Përgjigje