TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Tetor 2024, 20:22

"Opozita të kuptojë se kështu nuk fiton", Mërtiri: Po varrosin partinë duke mbrojtur Berishën!

Shkruar nga Pamfleti

"Opozita të kuptojë se kështu nuk fiton", Mërtiri:

Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar situatën aktuale politike dhe kaosin e opozitës. Mërtiri tha se opozita po përpiqet që të shpëtojë liderin e saj, Sali Berishën, por në këtë mënyrë po varros partinë.

Mërtiri shprehet se kjo nuk është mënyra e duhur për të rrëzuar Ramën sepse shton se i vetmi person që përfiton është Berisha.

“Ky aksion politik duke prodhuar radikalizim, konfliktualitet merr peng vëmendjen e publikut”, tha analisti për “Vizion Plus”.

Deputetët tentuan tu bllokonin hyrjen drejt Kuvendit kolegëve të tyre socialistë.

Përpjekja e demokratëve për të mos lejuar deputetët e mazhorancës të hyjnë në parlament u shoqërua me tensione. Përplasje fizike pati edhe mes demokratëve dhe Gardës.

Por pavarësisht aksionit të opozitës, kryetarja e Kuvendit, ministrat dhe deputetët e mazhorancës hynë nga dera anësore dhe miratuan të vetëm marrëveshje qe ishin vendosur në rendin e ditës.

Nga ana tjëtër, opozita dogji në oborrin e Kuvendit 4 manekinë, të cilëve i kishin vendosur fytyrën e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramës, ish-ministrit Fatmir Xhafaj dhe të vëllait të tij.

-Edhe sot opozita krijoi kaos duke mos mundësuar një seancë normale parlamentare. Duke lënë mënjanë të drejtën e saj për formën e reagimit, sa sukses mund të ketë strategjia e radikalizimit të aksionit politik?

Mërtiri: Një strategji e tillë nuk mund të ketë sukses. Është provuar vjet, parlamenti kaloi skena të tilla të cilat u bënë qesharake dhe të bezdisshme. Sfida e çdo force politike është të tërheqë elektoratin gri. Elektorati gri kërkon që opozita të jetë një forcë që e përfaqëson, kërkon të shohë një opozitë të re. Opozita nuk i ofron këtë pamje, i ofron modelin e vjetër që kemi 34 vite që e shohim dhe shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës. Opozita ose nuk kupton nga politika ose nuk do të fitojë. Problemi është se duke mos mundur të fitojë nuk po përpiqet të prodhojë imazhin e duhur për të fituar. Po përpiqen të shpëtojnë liderin duke varrosur partinë.

-Duket se ka dhe një problem me qëndrimin e faktorëve të tjerë opozitarë që nuk janë të bashkuar reth PD-së në radikalizimin e saj.

Mërtiri: Ky radikalizim nuk është kundër Ramës, është kundër tyre. Ky aksion politik duke prodhuar radikalizim, konfliktualitet merr peng vëmendjen e publikut, e zhvendos vëmendjen e kamerave dhe medieve nga çdo argument tjetër përveç asaj që prodhon ky spektakël.

-Kush përfiton nga kjo strategji?

Mërtiri: Përfiton Sali Berisha, i cili kërkon që gjithë vëmendja qoftë edhe negative të jetë drejt tij. Qëllimi i Berishës, në pamundësi për të mundur Ramën, është të ruajë ekskluzivitetin e të qënurit monopol i opozitës. Rama dhe Berisha kanë bërë pakte që tregojnë se ata po luajnë lojën e njëri-tjetri. Kemi parasysh vulën e PD-së, Berisha ka më shumë se 6 muaj që nuk shkon në Kuvend dhe Rama ia shpëtoi mandatin, kemi parasysh amnistinë që bënë për të shpëtuar të korruptuarit e kësaj qeverie. Ky konfliktualitet bëhet për të gënjyer elektoratin, për të thënë që ne jemi në luftë me njëri-tjetrin sepse këtu luftë nuk ka.

-Opozita thotë se ka burgosje të eksponentëve të saj, ka kapje të drejtësisë nga zoti Rama, sipas saj. Cila do të ishte sipas jush rruga që duhet të ndjekë opozita përveç radikalizimit?

Mërtiri: Detyra e opozitës nuk është të përleshet, por të bëjë betejën e saj në institucione dhe parlament. Detyra kryesore për të mundur qeverinë është të reformohet vetë, të japë një model ndryshe, këta po ripërsërisin të njëjtin model dhe po mbajnë të njëjtët njerëz që më parë janë akuzuar për korrupsion dhe disa prej tyre janë kandidatë për në SPAK. Janë dëshmi e paaftësisë së kësaj opozite për t’u dëgjuar. Duke qenë se nuk i dëgjohet zëri, ata po stimulojnë një betejë false me tym e flakë që nuk i çon gjëkundi.

Lini një Përgjigje