TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Korrik 2025, 13:10

"Nuk mbaj mend çfarë kam firmosur"/ Punëtori i ndërtimit vë në rrezik ëndrrën e Adriatik Lapajt për të hyrë në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
"Nuk mbaj mend çfarë kam firmosur"/ Punëtori i
Adriatik Lapaj

Një zhvillim i papritur brenda koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” mund të pengojë Adriatik Lapajn për të hyrë në parlament në shtator. Koalicioni kishte ndërtuar një strategji ku lista e mbyllur për Tiranën përmbante 12 kandidatë fiktivë, të cilët kishin dhënë dorëheqjen me qëllim që mandati të kalonte tek kandidati më i votuar nga lista e hapur – në këtë rast, vetë Lapaj.

Aktualisht, mandati i vetëm i fituar nga NSHB në qarkun e Tiranës i takon Ana Dajkos. Por, për ta kaluar tek Lapaj, është e nevojshme që ajo dhe 11 emrat e tjerë në listë të tërhiqen. Kjo skemë është vënë në rrezik nga Zeqir Kordhoni, i renditur i nënti në listë, i cili ka shprehur hezitim për të hequr dorë nga mandati.

Më 11 maj, pas zgjedhjeve, NSHB dorëzoi në KQZ dorëheqjet e të gjithë kandidatëve të listës së mbyllur për Tiranën, përfshirë edhe Zeqir Kordonin, një punëtor ndërtimi dhe invalid që trajtohet me KEMP, sipas CV-së së tij.

Sipas "Shqiptarja.com", Kordhoni nuk është më i bindur për dorëheqjen e dhënë dhe i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një letër me shkrim dore, ku vetëquhet “deputet” dhe kërkon kopje të dorëheqjes së firmosur.

“Po na sjell shumë andralla Adriatiku, një herë do hyj e një herë nuk do hyj. Por unë nuk jam i bindur se çfarë do bëj. Duhet që Adriatiku të ulet ballë për ballë me mua dhe ta sqarojmë këtë histori. Kam punuar 72 orë me të pa shkuar në shtëpi e jam edhe invalid.”, tha ai në një prononcim për Report TV.

I pyetur nëse ka firmosur dorëheqjen më 11 maj, ai tha:

“Kam firmosur shumë gjëra në atë kohë dhe nuk e kam të qartë nëse kam firmosur dorëheqjen.”

Ai pranon se është një nga emrat e propozuar nga Partia Nisma Thurje. Dorëheqja e tij ndodhet në formë formulari të thjeshtë, e nënshkruar pa praninë e një noteri apo autoriteti zyrtar.

Ndërkohë, burime pranë KQZ-së kanë bërë të ditur se pavarësisht deklarimeve apo dorëheqjeve të depozituara më herët, çdo kandidat ka të drejtë të ndryshojë mendje dhe të kërkojë mandatin deri në momentin kur Celibashi shpall zyrtarisht listën fituese.

Për Tiranën, shpërndarja e mandateve është ende pezull, pasi PD ka dërguar ankimim në Kolegj Zgjedhor. Në këtë situatë, Adriatik Lapaj duhet të sigurojë që Kordhoni dhe 11 kandidatët e tjerë të listës së mbyllur të mos tërhiqen nga vendimi i dorëheqjes, deri në momentin që mandati të certifikohet në emrin e tij.

adriatik lapaj kuvend

Lini një Përgjigje