
Një grup prokurorësh të SPAK, prej 4 ditësh ndodhen në Itali, ku kanë zhvilluar takime dhe trajnime me përfaqësues të Antimafias...
Prokuroria e Posaçme duket se po forcon radhët për një tjetër aksion të gjerë kundër krimit të organizuar. Të hënën dhe të mërkurën në SPAK ishte kryeprokurorja e Belgjikës, ndërsa sot shkoi ajo e Holandës. Fokusi ishte krimi i organizuar dhe bisedat e Sky Ecc. Por duket se në lojë kanë hyrë dhe italianët.
Një grup prokurorësh të SPAK, prej 4 ditësh ndodhen në Itali, ku kanë zhvilluar takime dhe trajnime me përfaqësues të Antimafias. Bashkë me ta kanë qenë dhe disa zyrtarë të policisë. Ka qenë OSBE që ka dhënë detaje nga kjo vizitë e tyre. fokusi ka qenë te lufta ndaj pastrimit të parave.
“Objektivi kryesor i vizitës ishte mbështetja për Policinë e Shtetit shqiptar dhe Prokurorinë e Posaçme të SPAK-ut në luftën kundër pastrimit të parave të kapitalit të fituar në mënyrë të paligjshme dhe zbatimi i masave për rikuperimin e aseteve me synim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar transnacional.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar delegacionit, drejtori i Drejtorisë Hetimore Antimafia, Gjeneral-Komandant i Guardia di Finanza Michele Carbone, nënvizoi rëndësinë e takimeve të tilla në forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe identifikimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme”, njoftoi OSBE.
Një ditë më parë pati një operacion të përbashkët mes Italisë dhe SPAK. Gjithçka u zbulua nga mjeti i komunikimit të koduar, SkyEC dhe u bë e mundur kapja e mbi 2 ton kokainë, 45 kg hashash, 20 kg marijuanë, nga e cila grupi kriminal do të kishte përfituar rreth 70 milionë euro.
Në total u arrestuan 23 persona në Itali (Toskanë, Kalabri, Lazio, Puglia, Campania, Lombardi, Veneto, Liguria) dhe 2 persona në Shqipëri.
SPAK njoftoi gjithashtu se ngarkesat e drogës dërgoheshin nga Amerika e Jugut në kontejnerë, përmes porteve italiane (Livorno, Genova dhe Savona) dhe në vende të tjera evropiane.
Ndërkohë, drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit arrestoi dy nga pjesëmarrësit në këtë grup të sktrukturuar kriminal, Juljan Kollçaku nga Kavaja dhe Maksim Ndoci nga Puka.
Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar 20 000 euro, 52 ora të markave të ndryshme si psh. Rolex etj, 1 automjet tip Audi RSQ8 i viti 2020 si dhe 3 celularë, ku 2 prej tyre G Pixel, një armë zjarri pistoletë beretë me 15 fishekë, 3 celularë dhe pajisje të tjera. /Pamfleti
Lini një Përgjigje