
Gjykata e Lezhës ka lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra për 11 zyrtarët e Kadastrës së Lezhës.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllur dhe pati debate të shumta.
Ish-zyrtarët e Agjencisë së Kadastrës në Lezhë e kanë konsideruar kërkesën e prokurorisë për pezullimin e tyre nga detyra të kundraligjshëm.
Sipas tyre gjykata nuk kishte vendosur konfiskimin e pronës prej mbi 234 mijë metrash katrorë dhe kalimin e saj në favor të shtetit dhe në këto kushte nuk mund të vepronin në shkelje të ligjit.
Albana Gjinaj, Marinela Tuci, Orstela Bardhaj, Sebastjano Gjetja, Besjon Ivanaj, Ornela Marku, Eglantin Lleshaj, Dorina Sulaj, Xhentil Gjegji, Vitore Lleshi dhe Diljana Prenga, akuzohen se nuk kanë zbatuar vendimin e gjykatës për konfiskimin e 234,548 metër katrore tokë në zonën e Ranës së Hedhur, që sipas organit të akuzës duhet t’i kalonte shtetit.
Gjyqtari Renis Sheshi, pranoi kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj dhe la në fuqi vendimin e pezullimit të tyre nga detyra për veprën penale "Mos ekzekutimi pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës".
Ndërkohe 11 ish-zyrtarët kanë njoftuar se do ta ankimojnë vendimin.
Lini një Përgjigje