TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Janar 2024, 15:35

Shëndetësia falas zhvat qytetarët/ Nga 1 shkurti konsulta jashtë orarit në shtet, por çmimet si tek privati

Shkruar nga Pamfleti

Shëndetësia falas zhvat qytetarët/ Nga 1 shkurti konsulta

Shëndetësia falas si një prej premtimeve kryesore të Edi Ramës që prej marrjes së mandatit të parë në vitin 2013, jo vetëm që mbetet një premtim i pa plotësuar, por madje vijon të zhvasë xhepat e qytetarëve nën kamuflimin e dhënies së më shumë shërbimeve dhe faciliteteve.

Nga 1 shkurti në spitalet e vendit që kanë fituar kartën e autonomisë menaxheriale, mjekët nëse dëshirojnë do të mund të ofrojnë konsulta edhe jashtë orarit zyrtar të punës.

E gjitha do të jetë përkundrejt një tarife që qytetarët do të duhet të paguajnë, prej 3000 lekësh.
Pra për qytetarët do të ofrohet një shërbim i ri në spitalet shtetërore, me një tarifë që nis nga 3 mijë lekë (të reja) pasi mund të jetë edhe më e shtrenjtë në varësi të mjekut që ofron shërbimin, njëjtë si në spitalet private me përjashtim të radhës së pritjes.
Nga kjo tarifë e cila përcaktohet nga Bordi i spitalit, 70 përqind do të shkojë në xhepin e mjekut dhe 30 përqind për nevojat e spitalit.
Projekti do të pilotohet fillimisht në spitalin Memorial të Fierit, i cili tashmë e ka fituar kartën e autonomisë menaxheriale.
Zv/ministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli tha se konsultat jashtë orarit zyrtar do të nisin të aplikohen fillimisht në spitalin e Fierit, e më pas në Shkodër, Lezhë, Durrës e Vlorë.
Rakacolli ka zbuluar se tarifa do të jetë 3 mijë lekë.

“Do të jetë 3 mijë lek të rinj. Është rënë dakord bord-mjekë”, tha Rakacolli.

Megjithatë kjo praktikë e re do të jetë tërësisht vullnetare dhe do të jenë vetë mjekët që do të zgjedhin nëse do të japin shërbim jashtë orarit.

Kjo praktikë e dyfishtë pune e mjekut brenda spitalit publik ku ai punon, pritet të zbatohet së pari në 5 spitalet që kanë fituar autonominë, siç janë së fundmi, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit.

“Për momentin shërbimi ofrohet vetëm për konsultat. Janë mjekët që do duhet ta zgjedhin, se sipas legjislacionit mjekut i lejohet, por nëse duan ta japin këtë shërbim spitali i jep infrastrukturën pasi klinika private do investim”, ka sqaruar Rakacolli.

Bordet e spitaleve do të jenë ata që do të përcaktojnë edhe tarifat në bazë të kontratave individuale të mjekëve, çka lë për të kuptuar se mjekët që janë më të kërkuar do të kenë tarifa më të larta.

“Të gjithë e dimë që për të marrë konsulta në publik ka një sistem referimi sipas të cilit njerëzit duhet të presin, sepse mjeku në orarin e punës mbaron konsultat që ka detyrim të bëjë dhe mbyll punën, dhe për këtë arsye krijohet një radhë. Unë si qytetare zgjedh mjekun që dua të më vizitojë dhe datat, zgjedh edhe nëse dua ta marr më shpejt apo do pres për shërbimin. Pra duke qenë se i njëjti mjek ofron konsultën jashtë sistemit të referimit, atëherë ai mund të zgjedhë kundrejt një tarife që mos të presë”, sqaron Rakacolli për Report Tv.

 

 

shendetesi konsulta mjek

Lini një Përgjigje