
Ka nisur në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm shqyrtimi çështjes penale për Arbër Paplekajn.
Seanca zhvillohet edhe për gjashtë oficerë policie të repartit shqiponja nën akuzë për shpërdorim detyre, dhe dy ish nën drejtorë policie Albert Nushi dhe Nikollaq Palla.
Paplekaj është dënuar me 22 vite burg, pasi dyshohet se është autor i vrasjes së Pjerin Xhuvanit 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në Elbasan.
Paplekaj nuk është paraqitur në gjykatë, por ka përcjellë një deklaratë ku thotë nuk dëshiron të marrë pjesë.
"Dëshiroj të përfaqësohem nga av.Mirash Martini", shkruan Papleka.
Gjykata e Apelit konstatoi se të akuzuarit e tjerë përfaqësohen nga avokatët e caktuar prej tyre. Gjykata theksoi se janë njoftuar edhe trashëgimtarët e viktimës Pjerin Xhuvani si dhe avokatja e tyre, kjo e fundit ka kërkuar të njoftohet ne adresë dhe jo me telefon. Edhe policja e plagosur në atë kohë Xhensila Sota ( në cilësinë e viktimës në ngjarje) si dhe Emiliano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Pavllo Vuksani nuk janë paraqitur.
Prokurori i çështjes Gent Xholi u shpreh se “shterova rrugët e duhura dhe më të shpejta për të njoftuar avokaten e të afërmeve të Pjerin Xhuvanit. Megjithatë nëse mbrojtja kërkon njoftim në adresë do ta bëjmë zyrtarisht dhe jo në telefon
Si ndodhi ngjarja?
Kujtojmë se ngjarja e bujshme në Elbasan ndodhi 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të prillit 2021, ku u vra Pjerin Xhuvani, një eksponent i fuqishëm lokal i lidhur me Partinë Socialiste, i cili ishte i përfshirë direkt në fushatën e PS në këtë qytet.
Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota (punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.
Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Struktura e Mbrojtjes së votës e ngritur nga PD pretendonte se makina e shtabit të PS-së është kapur duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës, është thirrur edhe policia.
Në vendin e ngjarjes mbërriti më pas nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Abert Nushi dhe disa efektivë të Shqiponjave. Pas mbërritjes së policisë, në vendngjarje erdhi edhe një automjet me simpatizantë të PS-së.
Në këtë moment ka nisur edhe shkëmbimi i zjarrit mes palëve. Pak minuta pas ngjarjes u vetëdorëzua në polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ky i fundit ka thënë vazhdimisht se ka qëlluar për vetëmbrojtje.
Lini një Përgjigje