Nis numërimi mbrapsht për ish-ministren e Bujqësisë Frida Krifca. SPAK ka konfirmuar sot se ka nisur hetimet për skandalin me fondet e BE. Pak muaj më parë Brukseli ndërpreu fondet IPARD, pra paratë që shkojnë për bujqësinë, pas dyshimeve se ka abuzime dhe korrupsion. Madje është bërë dhe një padi në SPAK lidhur me këtë çështje nga OLAF.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një takim me gazetarët ka konfirmuar se kanë nisur hetimet për këtë dosje. Pasi çështja u pushua për moskompetencë, ka një hetim të ri tha ai.
“Hetimet për këtë dosje kanë nisur dhe janë në proces paraprak. Po verifikojmë nëse ka vepër penale apo jo”, ka thënë Dumani.
Në muajin korrik të këtij viti, Komisioni Evropian pezulloi përkohësisht pagesat nga programi për Shqipërinë në pritje të gjetjeve përfundimtare të OLAF, ndërsa pak kohë më parë vetë një zëdhënëse e BE konfirmoi se dosja ishte mbyllur.
“Si rezultat i përfundimit të hetimit, OLAF tani ua ka transmetuar raportin përfundimtar dhe rekomandimet e saj autoriteteve kompetente përkatëse”, tha ajo.
Në korrik, Ministria e Bujqësisë pranoi se kishin nisur hetimet, por i konsideroi si procedurë normale. Programi IPARD është mbështetja financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së, në masën 75% dhe qeverisë shqiptare në masën 25%.
Zbatimi i programit është përgjegjësi e Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR. Programi IPARD II, ka një fond total prej 94 milionë eurosh të ndarë sipas viteve nga 2014 deri në vitin 2020.
Financimet në masën 71 milionë euro nga BE, dhe 23 milionë euro nga shteti shqiptar, janë dhënë për investime në asetet fizike në fermat bujqësore, investime në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe peshkimit, diversifikimin e fermës dhe zhvillimi biznesit dhe asistencë teknike në këto sektorë.
Në Asamblenë e PS, Rama largoi ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, atë të Bujqësisë, Frida Krifca dhe ministren e Arsimit, Evis Kushi, ndërsa përsëriti premtimin se ai nuk do të mbrojë asnjë pushtetar që do të përballet me drejtësinë.
Frida Krifca iku nga Bujqësia pak muaj pasi Bashkimi Europian njoftoi pezullimin e fondeve IPARD në bazë të dyshimeve për korrupsion nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, AZHBR, e drejtuar më parë prej saj.
Lini një Përgjigje