
Por përtej entuziazmit të shprehur nga opozita se do të fitojë zgjedhjet, duket se problemi kryesor që mund të dominojë pas 11 majit janë akuzat për manipulimin e zgjedhjeve. Edi Rama po i paraprin kësaj situate duke deklaruar se në 12 maj, ata do të ulërasin për vjedhje votash…
Nga dita e djeshme, 11 prill, ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku Edi Rama dhe Partia Socialiste do të synojnë mandatin e 4 qeverisës rradhazi, ndërsa PD e drejtuar nga Sali Berisha, i cili krijoi koalicionin ‘Aleanca Shqipëria Madhështore’ synon rikthimin në pushtet pas 12 vitesh opozitë.
Si Rama ashtu edhe Berisha prej javësh janë përfshirë në një debat në distancë, ku nuk mungojnë ironitë dhe batutat, ndërsa shanset për një debat ballë për ballë mes dy politikanëve që dominojnë skenën politike prej më shumë se dy dekadash janë pothuajse zero.
Edi Rama ka shpallur si objektiv të tij për zgjedhjet e 11 majit marrjen e 1 milionë votave nga shqiptarët, ndërsa kur është pyetur për numrin e deputetëve në Parlamentin e ri, u shpreh se do të arrihet mbi 77 mandate.
Në anën tjetër Sali Berisha nuk ka preferuar të bëjë një parashikim, duke u shprehur se nuk është profet për të parashikuar se çfarë do të ndodhë. Gjithsesi Berisha ka shprehur besimin se opozita do të fitojë zgjedhjet.
Mes deklaratave si të Ramës ashtu edhe të Berishës që duket se synojnë të karikojnë militantët dhe mbështetësit e partive që drejtojnë, duket se janë një grupim partish, një pjesë e të cilave konsiderohen të reja, që nuk arritën të grupohen në një koalicion të vetëm që mund të çonte në krijimin e një poli të 3-të politik, jashtë ndikimit të PS dhe PD, dy parti tradicionale, që herë të vetme dhe herë me koalicione, kanë udhëhequr qeveritë prej 1991.
Por përtej entuziazmit të shprehur nga opozita se do të fitojë zgjedhjet, duket se problemi kryesor që mund të dominojë pas 11 majit janë akuzat për manipulimin e zgjedhjeve. Edi Rama po i paraprin kësaj situate duke deklaruar se në 12 maj, ata (opozita e Berishës) do të ulërasin për vjedhje votash, pavarësisht se në mbrëmjen e 11 majit, do të deklarojnë fitoren dhe do nisin festimet.
Në anën tjetër, Berisha dhe aleatët e tij janë treguar të rezervuar në shprehjen e shqetësimeve se zgjedhjet mund të manipulohen, dhe duket se të gjithë garancitë apo shpresën e kanë mbështetur te Chris LaCivita, strategu amerikan i fushatave zgjedhore, i cili do të drejtojë edhe fushatën e ‘Shqipëria Madhështore’.
Gjithsesi në takimet që ka pasur me drejtuesin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR që do të monitorojnë zgjedhjet e 11 majit, Berisha ka kërkuar një prani të shtuar të vëzhguesve ndërkombëtarë.
Misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR drejtohet nga ambasadori Lamberto Zannier, ndërsa në 11 maj do të jenë të angazhuar 26 vëzhgues afatgjatë dhe 300 afatshkurtër.
Gjatë një konference për media, Zannier tha se grupi i ekspertëve dhe vëzhguesve do të jetë i vendosur në Tiranë dhe të shpërndarë në Shqipëri.
“Sot hapim zyrtarisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Shqipëri. Misioni vjen pas ftesës ë autoriteteve vendase dhe do të përbehet nga një ekip bërthamë ekspertësh prej 12 vetash të vendosur në Tiranë. Do të jetë 26 vëzhgues afatgjatë të vendosur në Tiranë dhe të shpërndarë në Shqipëri dhe do kërkohet 300 vëzhgues afatshkurtër para ditës së zgjedhjeve”, u shpreh Zannier.
Sfida kryesore për 11 majin do të jenë standardet, pra nëse rezultati i prodhuar nga zgjedhjet do të shprehë vullnetin e lirë të zgjedhjeve, apo është i deformuar si pasojë e presioneve dhe shit-blerjes së votave. Kjo e fundit një fenomen i evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare lidhet me një tjetër fenomen, paranë e ‘pisët’ që hidhet për të blerë vota, që më pas siguron pushtet politik.
Për këtë krahas vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas, tashmë janë në funksion edhe 12 ekipe të SPAK dhe prokurorëve të rretheve, që janë të shpërndarë në 12 qarqet e vendit dhe që do të kalojnë në filtër gjithçka. Ndoshta kjo do të jetë sfida më e madhe që do të ketë SPAK në raport me krimet zgjedhore, edhe pse janë krijuar pritshmëri të larta se do të ketë jo thjesht goditje penale, por parandalim të skemave dhe skenarëve që kanë shoqëruar zgjedhjet shqiptare, qofshin ato lokale apo të përgjithshme.
Hetimi për krimet zgjedhore do të kryhet nga agjentët e BKH nën drejtimin e prokurorëve të SPAK, të cilët gjithashtu do të kenë në ndihmë prokurorë të rretheve, bazuar në marrëveshjen mes SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Përtej tyre janë edhe agjensitë ligjzbatuese, ku përfshihen jo vetëm Policia, por edhe shërbimet sekrete, që mund të furnizojnë me materiale, të dhëna apo informacione grupet e hetimit mbi atë se çfarë ndodh në terren.
Muaj më parë, opozita deklaronte se me Edi Ramën Kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira, duke akuzuar kreun e PS-së për lidhje me grupet dhe bandat kriminale që intimidojnë dhe ushtrojnë presion ndaj zgjedhësve. Rama në anën tjetër ka ironizuar akuzat, por gjithashtu ka paralajmëruar SPAK që të mos guxojë të infiltrojë njerëz në shtabet e partive politike përgjatë fushatës.
Në strategjinë e SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore përfshihen të gjitha metodat që përdorin organet ligjzbatuese për të hetuar krime. Me pak fjalë ndiqet e njëjta strategji, duke përdorur metodat speciale të hetimit, gjurmimit, përgjimit, vëzhgimit.
Gjithashtu në strategji përfshihen monitorimet e rrjeteve sociale, mediave dhe çdo denoncim tjetër, që mund të shërbejë si indicie për nisjen e hetimeve, sikundër do të analizohen çdo provë dhe fakt që mund të paraqitet nga qytetarë apo subjekte politike, në kuadër të denoncimeve të krimeve zgjedhore.
Por përtej strategjive, sfida mbetet: sa efikase do të jenë grupet hetimore në terren për të parandaluar krimin zgjedhor dhe më pas sa efikase mund të jenë për të goditur penalisht ata që deformojnë vullnetin e zgjedhësve?
Nëse i referohemi zgjedhjeve të mëparshme qarqet më problematike në raport me zgjedhjet kanë qenë Shkodra, Elbasani, Tirana, Durrësi, Fieri. Këto 5 qarqe, referuar numrit të mandateve të deputetëve që prodhojnë, përbëjnë mbi 50% të numrit të vendeve në Parlament, çka do të thotë se ato konsiderohen si hambar votash. Kjo është arsyeja që në këto qarqe ushtrohen presionet më të shumta, ka deformime të votës dhe angazhim më të madh të grupeve kriminale, me ndikim në zonat ku veprojnë, blerje votash, madje duke aplikuar edhe çmime që bëjnë që mandati i deputetit të ketë vlerë miliona euro.
Ditët e fundit ka pasur një angazhim të përfaqësuesve diplomatikë që kanë zhvilluar takime të shumta dhe kanë vënë theksin në një proces zgjedhor të lirë dhe sipas standardeve. Ata janë takuar me përfaqësues të SPAK, kanë mbështetur me logjistikë prokurorinë speciale për hetimin e krimeve zgjedhore, sikundër kanë shprehur mbështetjen e tyre në hapat që do të ndiqen për të goditur këto fenomene.
Por topi është në këmbët e SPAK, i cili ka rritur pritshmëritë e publikut, edhe pse në rastin e krimeve zgjedhore, loja është më e madhe se e një aktori. Në thelb gjithçka ka të bëjë me faktin nëse palët që janë në proces dhe garojnë do të kenë vullnetin për të përmbushur standardet zgjedhore, dhe më pas të shpresojnë se mund të bëhen pjesë e BE-së. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje