
Shkodra është identifikuar si një epiqendër nga e cila e kanë origjinën shumë prej këtyre grupeve kriminale. Doshi, një sundimtar politik në Shkodër, shfaqet në dokumente si lideri i dyshuar i një grupi të krimit të organizuar të përbërë nga të afërmit e tij, të cilësuar si "sindikata e familjes Doshi"...
Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) ka trazuar politikën shqiptare. Kreu i PSD, Tom Doshi duket se po “bën kërdinë” në zgjedhje, mirëpo në listë të zezë nuk e kanë futur vetëm amerikanë. OCCRP publikoi sot një shkrim voluminoz për Doshin, i cili akuzohet se ka krijuar një grup kriminal në Australi, i cili merret me trafik droge, pastrim parash, por dhe bën transportim emigrantësh me dokumente false. Shkrimi është bazuar mbi një raport të shërbimit sekret australian. Por si funksionon grupi i Tom Doshit?
Dokumentet e inteligjencës australiane të parë nga gazetarët tregojnë atë që ata e quajnë "cikli jetësor", i cili është i ndarë me 5 faza.
Së pari, thonë ata, njerëzit rekrutohen në rajonet e tyre në Shqipëri, ndonjëherë me premtimin e rremë se u është gjetur punë jashtë vendit.
Së dyti, ata sillen në Australi duke përdorur pretendime të rreme për viza.
Së treti, ata arrijnë të qëndrojnë në Australi duke përfituar nga shqyrtimet e gjata të vizave (disa shqiptarë aplikojnë për të qëndruar në Australi duke pretenduar se gjakmarrja në shtëpi do t'i rrezikonte jetën nëse ktheheshin).
Së katërti, kryejnë veprimtari kriminale.
Së pesti, arrestohen, dënohen dhe u hiqen vizat.
“Shkodra është identifikuar si një epiqendër nga e cila e kanë origjinën shumë prej këtyre grupeve kriminale. Doshi, një sundimtar politik në Shkodër, shfaqet në dokumente si lideri i dyshuar i një grupi të krimit të organizuar të përbërë nga të afërmit e tij, të cilësuar si "sindikata e familjes Doshi". Anëtarët e klanit, thonë dokumentet, u vendosën nga zyrtarët australianë në një "listë të personave me interes" të krimit të organizuar shqiptar. Kjo listë u nda më pas me agjencitë e zbatimit të ligjit në shumë vende evropiane. Dokumenti sugjeron se këto agjenci kanë identifikuar gjithashtu anëtarë të klanit Doshi në listë nga hetimet e tyre”, thuhet në artikull.
Detaje nga artikulli
Dokumentet përfshijnë gjithashtu një "studim rasti" që përshkruan një grua me "lidhje familjare me Doshin" që punon si "agjente e emigracioni" në Australi e cila "mund të lehtësojë aktivitetin [kriminal] për anëtarët e sindikatës të arrestuar për kultivim kanabisi dhe /ose janë të lidhura ngushtë me trafikun e kokainës.”
Dosjet nuk përmendin asnjë akuzë kriminale kundër gruas dhe tregojnë se nuk ka “baza për ta shkarkuar nga detyra e saj”.
Dosjet kanë detaje për dy nipat e Doshit. Dy burrat thuhet se janë anëtarë të sindikatës së trafikut të drogës Lleshi, një bandë që mban emrin e një familjeje tjetër, e cila, sipas dokumenteve, përdor fondet nga shitjet e shtëpive të kultivimit të kanabisit për të importuar kokainë në Australi.
Policia arrestoi një nga nipat e Doshit në Adelaide në mars 2022 dhe e akuzoi atë për trafik droge dhe pastrim parash pasi gjeti kokainë me vlerë 1.6 milion dollarë AU të fshehur brenda një makinerie. Nipi i Doshit kishte filluar të vizitonte shpesh Evropën pasi kishte marrë nënshtetësinë australiane pothuajse një dekadë më parë. Ai dhe familja e tij blenë prona të shtrenjta australiane, duke ngritur pyetje për hetuesit rreth të ardhurave të tij. Zyrtarët e gjykatës nuk iu përgjigjën pyetjeve rreth statusit aktual të personit nën hetim.
Nipi tjetër i Doshit nuk ndodhet më në Australi, por dyshohet se është ende i përfshirë në krimin e organizuar shqiptar dhe trafikun e nivelit të lartë të drogës. Sipas dosjes së tij të emigracionit australian të parë nga gazetarët, ai ka një histori dënimesh penale në vend që daton që nga viti 2012. Dosja citon një ministër që refuzoi kërkesën e tij për vizë duke thënë: Unë dyshoj në mënyrë të arsyeshme se [ai] ka qenë ose është anëtar i një grupi ose organizate … i përfshirë në vepra kriminale.
Në Shqipëri, ai u akuzua në vitin 2016 për sulm ndaj një punonjësi të policisë rrugore. Oficeri nuk pranoi të ngrinte akuza dhe rezultati i rastit nuk dihet.
Dy incidente të tjera të dyshuara të dhunës të kryera nga anëtarët e familjes Doshi gjithashtu nuk rezultuan me sanksion ligjor. Në fillim të këtij viti, djemtë e Doshit, James dhe Marcos, së bashku me truprojën e tyre, u akuzuan në Shqipëri për rrahjen e një burri me shufra hekuri dhe mosbindje ndaj urdhrave të policisë. Çështja u pushua pasi personi që u sulmua e përshkroi incidentin si një keqkuptim dhe kërkoi që të tre të mos ndiqen penalisht. Një gazetar shqiptar i dyshuar i sulmuar nga vetë Doshi në vitin 2008 gjithashtu refuzoi të ngrinte akuza kundër tij. /Pamfleti
Lini një Përgjigje