Nën drejtimin e Agron Kasës, UST kthehet në pronë familjare me punësime nepotike, diploma pa vlerë dhe struktura të blera...
Universiteti i Sporteve të Tiranës, institucioni që duhet të përgatiste elitën akademike dhe profesionale të sportit shqiptar, ka rrëshqitur në një degradim të thellë institucional. Nën drejtimin e rektorit Agron Kasa dhe rrethit të ngushtë drejtues, universiteti akuzohet se ka braktisur misionin akademik dhe është kthyer në një mekanizëm punësimesh nepotike, favore financiare dhe shpërndarjeje diplomash pa vlerë.
Burime të brendshme të institucionit përshkruajnë një skemë të konsoliduar emërimesh, ku kriteri i vetëm nuk është merita akademike, por lidhja familjare dhe bindja ndaj klanit drejtues. Rasti më flagrant është ai i zëvendësrektorit Taqo Prifti, i cili, ndonëse ka kaluar prej vitesh moshën e pensionit, vijon të mbajë postin dhe ta përdorë atë për interesa familjare.
Sipas denoncimeve, Prifti ka ndërtuar një skemë të mirëfilltë abuzimi për të katapultuar të birin në trupën pedagogjike të universitetit. Para emërimit si pedagog, i biri, ende student, është futur në komisione të Senatit Akademik, duke përfituar pagesa nga buxheti i universitetit. Ky veprim përbën shkelje të hapur të etikës akademike dhe konflikt të rëndë interesi.
Skandali thellohet me mënyrën se si janë siguruar studimet e tij. Zëvendësrektori i ka garantuar të birit ndjekjen falas të ciklit të dytë të studimeve, duke i atribuar artificialisht statusin e “studentit ekselent”. Ironia është se në ciklin e parë, të kryer në një universitet tjetër, rezultatet e tij akademike kanë qenë minimale, me një mesatare rreth notës 6.
E njëjta skemë nepotike përsëritet edhe në administratë. Administratorja e universitetit, Haxhire Sulo, ka punësuar vajzën e saj si pedagoge, pa kritere të dukshme profesionale, përveç lidhjes familjare me personin që administron financat e institucionit. Ky model ka shndërruar UST-në në një rrjet familjar, ku strukturat janë mbushur me fëmijë, bashkëshortë dhe të afërm të stafit drejtues.
Drejtoria e kurrikulave, organi që duhet të garantojë cilësinë e programeve studimore, është kthyer në strehë miqsh të rektorit, pa kualifikimin përkatës. Në auditore japin mësim pedagogë që gjatë studimeve të tyre janë vlerësuar me nota minimale për lëndët që sot pretendojnë t’i japin si ekspertë.
Për të garantuar pandëshkueshmërinë, drejtimi aktual ka neutralizuar organet kolegjiale. Senati dhe strukturat e tjera vendimmarrëse funksionojnë si noterë formalë, pasi anëtarët e tyre janë “blerë” përmes punësimit të familjarëve ose përfitimeve të tjera. Në këtë klimë, studentëve u është hequr edhe e drejta reale e votës dhe e përfaqësimit.
Ky degradim i Universitetit të Sporteve, ku diplomat po humbasin çdo vlerë dhe institucioni po administrohet si pronë private, kërkon ndërhyrje urgjente. Arsimi i lartë nuk mund të drejtohet si biznes familjar i Agron Kasës, Taqo Priftit, Haxhire Sulos, Robert Çinës dhe rrethit të tyre.
Është koha që universiteti t’u kthehet studentëve, meritës dhe misionit publik. Nëse kjo nuk ndodh, UST rrezikon të mbetet simbol i dështimit akademik dhe i kapjes klienteliste të arsimit të lartë shqiptar./Pamfleti
Në Universitetin e Sporteve të Tiranës, paligjshmëria nuk është më devijim, por metodë. Faktet e dokumentuara tregojnë se kemi të bëjmë me një skemë të përsëritur largimesh nga puna, të cilat më pas rrëzohen në gjykatë, duke i kushtuar institucionit miliona lekë dëmshpërblime, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi. Rasti i A.K., ish-pedagog dhe njëkohësisht zyrtar i lartë i FSHF-së, është ilustrues. Mediat kanë raportuar publikisht se ai u akuzua për vendosje notash fiktive dhe Universiteti i Sporteve zgjodhi ta largojë nga puna, duke e paraqitur çështjen si shkelje të rëndë. Por faktet juridike flasin ndryshe. Gjykata Administrative, me Vendimin nr. 51/2023, ka shfuqizuar vendimin për zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës dhe ka detyruar UST-në ta dëmshpërblejë me 12 paga mujore, për shkak të largimit të paligjshëm nga puna. Vendimi është shpallur titull ekzekutiv, i zbatueshëm menjëherë nga përmbarimi. I njëjti skenar është përsëritur me F.M., pedagog në të njëjtin institucion. Me Vendimin nr. 52/]2023, po e njëjta gjykatë ka shfuqizuar vendimin e largimit nga puna dhe ka detyruar Universitetin e Sporteve të Tiranës ta dëmshpërblejë edhe atë me 12 paga mujore, për zgjidhje të paligjshme të kontratës së shërbimit publik. Dy vendime gjyqësore. Dy pedagogë të kualifikuar dhe të nderuar të larguar. Dy dëmshpërblime të plota. Një institucion që humb në gjykatë. Dhe sërish asnjë përgjegjësi administrative apo disiplinore për drejtuesit që kanë firmosur aktet e paligjshme, POR QË VAZHDOJNË TË LARGOJNË NGA PUNA "ATA QË NUK RINË NË RESHT". Ky model nuk është i rastësishëm. Është i njëjti mekanizëm që përdoret edhe në raste të tjera: – largim i menjëhershëm, – etiketim publik, – përdorim i strukturave të brendshme për të justifikuar vendimin, – dhe më pas heshtje totale, kur gjykata i rrëzon aktet një nga një. KUSH I MBRON KËTA?