
Gazetari Ferdinand Dervishi ka zbuluar disa prej çështjeve mbi të cilat SPAK do të ketë zhvillime të vrullshme sa i takon hetimeve gjatë vitit 2024.
I ftuar në emisionin “Frontline”, në Report Tv, ai foli për dosjen e pronave të forcave detare, dhe tha se hetimi për këtë çështje ka marrë një rrjedhë totalisht tjetër duke përfshirë shumë persona ndaj të cilët po hetohen aktualisht nga Prokuroria e Posaçme dhe shtoi se për herë të parë shfaqet edhe përfshirja e ministrisë së Infrasktrukturës.
“Një nga dosjet është dosja e ushtrisë, pronave të forcave detare që ka marrë një hetim tmerrësisht të gjerë. Mund të sjellë zhvillime për Xhaçkën. Hetohet procedura e lidhjes së qirasë me Marina Bej Sarandën, për bazën e Limjonit për detin dhe për tokën, pra 2 koncesione. Dhe kjo fut dhe ministrinë e Infrastrukturës në lojë për herë të parë”, tha Dervishi.
Teksa dha detaje mbi dosjen e pronave të forcave detare, Dervishi tha se po hetohen gjithashtu edhe disa dosje të tjera, si ndryshimi i selive të disa institucioneve pa lejen e presidentit si dhe një muze ‘sekret’ 6 milionë eurosh gjatë kohës së pandemisë kur ministria e Mbrojtjes kishte të limituara shpenzimet.
“Është procedura e dorëzimit të bazës detare te kompania Marina Bej, lejimi i zaptimit dhe ndërtimit pa leje në pronën e flotës detare në Porto Romano, ndërtim pa leje brenda bazës detare në Shëngjin. Tentativa në vitin 2016 për të manipuluar ligjet e shtetit dhe për të tejkaluar vendimmarrjen e presidentit për nxjerrjen e këtyre pronave nga regjistri i ushtrisë. Marina Bej Saranda është sekuestruar me vendim gjykate.
Janë hapur disa dosje të tjera, parku i automjeteve te mbikalimi “Shqiponja” ka lëvizur pa miratimin e presidentit, Shërbimi Informativ Ushtarak ka lëvizur nga ‘Fresku’ pa miratimin e presidentit, policia ushtarake ka lëvizur nga Sauku pa miratimin e presidentit, mirëmbajtja e helikopterëve kur blemë të rinj nga 22 milionë euro secili dhe njëri prej tyre ka mbetur në Itali për turp prej 3 vitesh. Me pikëpyetje, është një muze ‘sekret’ 6 milionë euro, është bërë në kohë pandemie kur ministria e Mbrojtjes i ka pasur të limituara shpenzimet”, tha gazetari.
Lini një Përgjigje