TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Tetor 2024, 19:23

Nga ndërhyrja te AKEP deri te përqindjet në kompaninë private, SPAK zbulon si Meta dhe Kryemadhi “pushtuan” tregun e fibrës optike!

Shkruar nga Pamfleti

Nga ndërhyrja te AKEP deri te përqindjet në kompaninë

Pas arrestimit të Ilir Metës, Prokuroria e Posaçme zbardhi detaje nga dosja e kreut të PL-së dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për 3 vepra penale.

Në një nga rastet e hetuar për korrupsion nga SPAK, del se Meta dhe Kryemadhi në 2014 kanë përdorur influencën e tyre për të ndikuar tek drejtuesi i AKEP, ( i cili ishte zgjedhur me propozimin e LSI), për të finalizuar një marrëveshje mes një kompanie private dhe një kompanie celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike.

Më pas me arritjen e kësaj marrëveshje, Kryemadhi dhe Meta kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Më pas shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë  “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.

Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet  I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale”, thuhet në njoftimin e SPAK

Lini një Përgjigje