Gazetari Artan Hoxha thotë se ndryshimet në Kodin Penal janë tentativa nga pushteti për të vënë nën kontroll gazetarët e terrenit dhe gazetarët investigativë, që është gazetaria e lajmit të terrenit.
Nga studio e “MCN Live”, ai deklaroi se sot mediat janë në zgrip dhe asfiksi për shkak të presionit politik të linjës editoriale, situatës ekonomike dhe reklamave.
Sipas tij, strukturat e reja të drejtësisë janë mësuar që ta përdorin mediat në funksion të tyre dhe dalin në media, vetëm ato që duan ata që të dalin.
"Pse janë kaq të shqetësuar për një zhanër gazetarie që ka 1000 halle të veta. Më në fund çdo raport ndërkombëtar e përmend situatën e vështirë të medias në Shqipëri. Sot ti nuk e merr vesh nga të vjen, je në një situatë ku bandat e 1997 të duken lule.
Sot mediat janë në zgrip dhe asfiksi për shkak të presionit politik të linjës editoriale, situatës ekonomike dhe reklamave që menaxhohet dhe dirigjohet nga qeveria.
Sot të lënë pa punë, të lënë në rrugë, sot sulmohesh nga vetë sistemi, që të defaktorizohesh dhe të dalësh nga loja. Unë kam qenë në procese gjyqësore me Kryeministrin, kryetarin e Kuvendit që në vitin 1998.
Sot po shohim se si SPAK dhe strukturat e reja të drejtësisë e përdorin mediat, kur dhe si duan ata. Ata që kanë shkuar atje që kanë qenë dikur ministra, kryetarë bashkie, sot po kujtohen për standarde, për liritë dhe të drejtat e njeriut.
O ka qenë agresor i medias Erion Veliaj, o nuk ka pasur. Ka pasur një grup botuesish që këtej pasuroheshin dhe bëheshin milionerë dhe këtej sulmonin reporterët. Shikoje se kush televizion është në qendër të Tiranës dhe si e ka përfituar.
Janë kujtuar për standardet dhe gazetarinë, kur i vajti fatura lali Erit. Sulmi që është bërë, këtu u kujtuan që u shkelen standardet këtyre. Ai që dirigjon lojën është i paprekshëm dhe për sa kohë që ai është i paprekshëm, kjo do të ndodhë me këta poshtë.
Pushteti vazhdimisht ka dashur ta mbajë nën kontroll median. Ne e kemi quajtur represiv Berishën, por nuk shkonte në këto nivele represioni dhe inkuizicioni.
Po të shikosh grupin e punës i cili deri tani ka ngelur në hije, ia kanë lënë ish-prokurorit të Përgjithshëm, që i kanë plasur njëqind skandale dhe t’i lësh dirigjimin e reformës në drejtësi, nuk ka ku të rrijë.
Strukturat e reja të drejtësisë janë mësuar që ta përdorin mediat në funksion të tyre dhe dalin në media, vetëm ato që duan ata që të dalin dhe jo ato që nuk duan të dalin.
Burim për gazetarin përbën çdo mënyrë e mundshme që të çon drejt informacionit me interes të lartë publike. Sot prokurori të dikton edhe se kush është burimi.
Nuk mund t’i marrësh gazetarit mjetet e punës dhe t’i përdorësh në procese të tjera. Të marrin materialin dhe ta klonojnë, mbaje pastaj ti.
Me ndërhyrjen në ligj, kërkon të mos komentosh një dosje gjyqësore se ndikon te gjyqtari i çështjes.", tha ai.
Lini një Përgjigje