TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Shkurt 2023, 20:48

Moti i keq “pushton” Shqipërinë, era shkakton probleme me energjinë elektrike në 5 qarqe

Shkruar nga Pamfleti
Moti i keq “pushton” Shqipërinë, era shkakton probleme me

Moti i keq ka mbërthyer sërish Shqipërinë. Erërat e forta kanë shkaktuar probleme me energjinë elektrike në 5 qarqe të vendit, ndërsa një traget u përplas me bankinën në portin e Durrësit pasditen e kësaj të diele. Shkak u bë këputja litarëve si pasojë e motit të keq. Reshje të dendura shiu priten në veri.

Drejtoria e Përgjithshme Detare ka dhënë detaje mbi incidentin që ndodhi pasditen e së dielës në portin e Durrësit ku një traget i linjës së Ankonës ka këputur zinxhirët lidhës dhe është përplasur me bankinën. Por fatmirësisht nuk ka pasur pasagjerë në bord. Sipas të dhënave të tjera, shkak për përplasjen është bërë era e fortë, e në ndihmë të tragetit kanë shkuar dy rimorkiatorë.

“Sot në orën 18:21 në portin e Durrësit ka ndodhur një incident. Si rezultat i erës fortë që shkoi 35 m/s në port, trageti A/F CLAUDIA ka këputur cimën e djathtë dhe ka prekur bankinën nga ana e ish-portit te peshkimit. Menjëherë kanë hyrë në veprim dy rimorkiatorët të cilët kanë shmangur përplasjet dhe trageti CLAUDIA është lidhur përsëri në bankine me cima te tjera.

Theksojmë se trageti A/F Claudia nuk ka pasur të imbarkuar pasagjerë dhe automjete në çastin e incidentit. Pas lidhjes dhe mbajtjes me dy rimorkiatorë ka filluar puna për imbarkimin e mjeteve në traget. Njoftojmë se në këto çaste trageti A/F Claudia ka dalë nga porti Durrësit dhe është nisur për Ankona. Gjithashtu të gjithë pasagjerët që do udhëtojnë sonte me linjat Durrës – Bari dhe Bari – Durrës së tragetet do vazhdojnë normalisht në linjat sipas orareve të përcaktuara në grafik,”-thuhet në njoftim.

Instituti i Gjeoshkencave ka bërë parashikimin e motit në vendin tonë. Sipas IGJEUM në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjëve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Ndërsa në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Nesër, temperaturat në bregdet do të variojë: 11 / 15 °C; në vendet e ulëta: 10 / 14 °C; në vendet malore: 5 / 11 °C. Sot, era pritet të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe zonat malore, ndërsa nesër pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.

Lini një Përgjigje