
Moti i përkeqësuar vijon të rëndojë situatën në veri të vendit, ku pas përmbytjeve të ditëve të fundit, reshjet e dendura të borës kanë sjellë probleme serioze në qarkullimin rrugor. Për arsye sigurie, autoritetet kanë vendosur pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së automjeteve gjatë orëve të natës në aksin Bogë – Qafë Thore – Theth.
Sipas burimeve zyrtare, ky segment konsiderohet me rrezik të lartë për shkak të mundësisë së rrëshqitjes së ortekëve, ndërsa kushtet e këqija atmosferike dhe ulja e dukshmërisë e bëjnë lëvizjen veçanërisht të rrezikshme pas rënies së errësirës. Për këtë arsye, rruga do të mbetet e mbyllur deri në orët e para të mëngjesit.
Qarkullimi do të lejohet vetëm në raste emergjente dhe vetëm nën shoqërimin e mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve të Policisë, të cilat do të jenë në gatishmëri për të monitoruar situatën në terren.
Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet e panevojshme në këtë zonë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, deri në përmirësimin e kushteve të motit.
Lini një Përgjigje