Reshjet intensive që kanë përfshirë vendin gjatë kësaj të shtune kanë sjellë probleme në disa qarqe, ndërsa Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron rrezik për përmbytje lokale dhe rrëshqitje dherash.
Në Durrës, era e fortë dhe shiu kanë vështirësuar qarkullimin në disa akse të qytetit. Në zonën e Plepave, disa pemë janë rrëzuar pranë rrethrrotullimit, duke bllokuar një segment të rrugës dytësore.
Sipas IGJEO-s, reshje me intensitet mesatar dhe të lartë janë regjistruar në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Në disa zona reshjet janë shoqëruar me shtrëngata dhe rrufe.
Instituti paralajmëron se intensiteti i lartë i reshjeve mund të shkaktojë vërshime uji në zona urbane, në varësi të sistemit të kanalizimeve. Rreziku mbetet më i lartë në qarqet Durrës, Shkodër dhe Lezhë. Po ashtu, nuk përjashtohen rrëshqitje dherash në zona të caktuara.
Era e fortë pritet të vijojë edhe gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, kryesisht në bregdet dhe në zonat e ulëta. Të dielën parashikohet dobësim i saj, me intensitet të lehtë deri mesatar.
Ndërkohë, reshjet gjatë ditës së diel pritet të jenë të pakta në të gjitha qarqet. Ulja e temperaturave do të vijojë për shkak të lagështisë dhe motit të paqëndrueshëm. Sipas parashikimeve, temperaturat maksimale në zonat e ulëta do të arrijnë deri në 20 gradë Celsius, ndërsa në zonat malore minimalet do të zbresin deri në 6 gradë Celsius.
Lini një Përgjigje