Rafineria Bitex në Balldren, Elbasan, me koncesion 30-vjeçar dhe kontrata nga Albpetrol, operon prej vitesh pa asnjë gjobë mjedisore. Nga 2018 deri më sot, procedimet penale janë pushuar ose zvarritur, ndërsa banorët raportojnë ndotje ajri dhe uji, rritje të sëmundjeve respiratore dhe përdorim selektiv të filtrave gjatë natës

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot projektligjin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve. Ai e quajti mjedisin “kapitullin më sfidues të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian” dhe foli për “përmirësime inkurajuese” në disa zona turistike si Himara. Rama theksoi se Shqipëria duhet të ecë me ritëm më të shpejtë drejt përmbushjes së standardeve europiane dhe se reformat nuk mund t’u lihen më bashkive, por do të drejtohen nga qeveria qendrore.
Por ndërsa kryeministri flet për sfida me Brukselin dhe për “përmirësime” në rivierë, realiteti i mjedisit shqiptar tregon një tablo krejt tjetër. Në Elbasan, kompania BITEX REFINERY (ish R.B.H. Belinë) operon prej më shumë se një dekade duke shkaktuar ndotje të ajrit, ujit dhe tokës, ndërkohë që në regjistrat shtetërorë paraqitet si një subjekt pa asnjë shkelje administrative. .
Rafineria e Bitex ndodhet në fshatin Balldren të njësisë administrative Papër, në periferi të Elbasanit. Ajo u krijua në vitin 2016 me një koncesion 30-vjeçar të dhënë nga Këshilli i Ministrave për përpunimin dhe tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve. Në vitin 2024 kompania ndryshoi emrin tregtar nga R.B.H. Belinë në Bitex Refinery, por ruajti aktivitetin dhe strukturën e saj ligjore. Administratorët e regjistruar janë anëtarë të familjes Likometa, ndërkohë që kompania figuron me NIPT aktiv, licenca të rregullta dhe pa asnjë penalitet fiskal.
Në periudhën 2018–2024, Bitex ka marrë pjesë dhe ka fituar ankande shtetërore për blerjen e naftës bruto nga Albpetrol. Vetëm në qershor 2024, kompania mori mbi 150 mijë ton naftë, ndërsa ankande të tjera në vitet 2022 dhe 2023 e kanë përfshirë në listën e fituesve. Pra, nga njëra anë shteti i jep kontrata publike dhe e paraqet si partner korrekt financiar, nga ana tjetër komuniteti i Elbasanit e denoncon si burim helmimi të përditshëm.
Ajri dhe uji i helmuar: dëshmitë e banorëve
Banorët e fshatrave Vidhas dhe Balldren, me rreth 1900 banorë, raportojnë prej vitesh erë kimike dhe tym të rëndë gjatë natës. Ata akuzojnë kompaninë se çaktivizon filtrat pas orës 22:00 për të kursyer kosto, duke përfituar nga mungesa e kontrollit shtetëror në orët e vona. Ajri bëhet i padurueshëm, sidomos në mëngjes, kur fëmijët shkojnë në shkollë.
Në redaksinë e Pamfletit, gjithashtu ka mbërritur një denoncim nga një punonjës i mëparshëm i rafinerisë: Kompania ka përdorur filtrat vetëm gjatë inspektimeve të njoftuara paraprakisht dhe natën linjat e pastrimit ndalen
Uji i puseve është bërë i papërdorshëm për konsum. Familjet treguan se uji ka erë të fortë nafte dhe e përdorin vetëm për ujitje, ndërsa detyrohen të blejnë ujë të pijshëm. Shpenzime shtesë për një komunitet që prej dekadash jeton nën barrën e ndotjes industriale.
Procedimet penale që u mbyllën pa rezultat
Në vitin 2018, Prokuroria e Elbasanit nisi një procedim penal për ndotje të ujit kundër R.B.H. Belinë, por çështja u pushua. Në qershor 2023, pas kallëzimeve të banorëve, u regjistrua një tjetër procedim penal për ndotje të ajrit ndaj administratorit të kompanisë. Edhe ky rast vijon në gjendje të lirë, pa masa konkrete.
Më skandaloz është fakti se gjatë gjithë periudhës 2018–2024, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit nuk ka vendosur asnjë gjobë ndaj rafinerisë. Në raportet vjetore nuk figuron asnjë masë ndëshkimore, pavarësisht protestave, denoncimeve dhe kallëzimeve penale.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit pranon si bazë të dhënash raportet e vetë-monitorimit që dorëzojnë vetë kompanitë industriale. Në dokumentet zyrtare, Bitex paraqet gjithmonë nivele ndotjeje nën kufirin e lejuar. Autoritetet nuk kryejnë monitorim të pavarur, nuk kanë matje 24-orëshe dhe nuk publikojnë të dhëna në kohë reale për cilësinë e ajrit dhe ujit në zonë. Kjo varësi nga raportet e ndotësit krijon një konflikt interesi të qartë: kompania raporton vlerat që i interesojnë, ndërsa institucionet mbyllin sytë.
Emergjenca mjedisore e vitit 2017 dhe harresa e shtetit
Në vitin 2017, Këshilli Bashkiak i Elbasanit shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore për shkak të mosfunksionimit të filtrave në industritë e ish-Metalurgjikut. Tetë vite më pas, situata është e njëjtë, por këtë herë nuk ka asnjë shpallje emergjence dhe asnjë masë ndëshkimore.
Deklarata e sotme e Ramës se “mjedisi është kapitulli më sfidues me BE” është e saktë vetëm në dukje. Sfida nuk qëndron tek Brukseli, por tek mungesa e vullnetit politik në Tiranë për të ndëshkuar ndotësit dhe për të zbatuar ligjin. Kompanitë si Bitex janë të paprekshme sepse paguajnë taksat, mbajnë licenca të rregullta dhe marrin kontrata publike. Në letra janë perfekte, në realitet helmojnë mijëra njerëz.
Kapitulli i mjedisit mund të kalohet vetëm duke vendosur monitorim të pavarur 24-orësh në Elbasan, Fier, Porto Romano e Ballsh, duke ndëshkuar me gjoba të rënda çdo ndotës./Pamfleti
Lini një Përgjigje