
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka reaguar lidhur me bllokimin e filetove të pulës për shkak të përmbajtjes me salmonelë.
Sipas ministres, AKU ka kryer detyrën e saj sipas protokolleve dhe është e angazhuar për të garantuar sigurinë ushqimore. Denaj theksoi se ka pasur reagim, por sipas saj nuk duhet të politizohet çështja e ushqimit dhe se rasti duhet të shqyrtohet nga institucionet përkatëse.
“Është gjithmonë kënaqësi të jesh në Athinë me bashkatdhetarët. Situata e AKU është e qartë; agjencia ka kryer detyrën dhe ka realizuar kontrollet e nevojshme. Sigurisht, lajmi është bërë publik, janë konfirmuar përgjigjet e analizave dhe i gjithë zinxhiri i kontrollit, për të cilin AKU ka denoncuar ata që kanë shkelur protokollet. Çështja i takon institucioneve si krimi ekonomik, policia që duhet të japin gjykimin përkatës. Nuk bëhet politikë me ushqimin, është shumë e rëndësishme që të verifikohen prononcimet në media nga institucionet shtetërore. Jo vetëm që kemi reaguar, por gjithashtu i kemi çuar çështjet përpara institucioneve. Por, politikë me ushqimin nuk bëhet, institucionet janë aty për të garantuar zbatimin e protokolleve, të cilat janë të shkruara dhe të zbatuara nga ne. Jam gjithmonë në shërbim të sqarimit, por vetëm për publikun”, tha Denaj për “Euronews Albania”.
Lini një Përgjigje