
Mes 301 pasurive të sekuestruara me vendime gjykatash në vend, të publikuara së fundmi në një katalog nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, dallojnë ato miliona euro të bosëve të krimit të organizuar dhe të hetuarve për korrupsion.
Me tyre 25 pasuritë e familjes Berisha, me dy të pandehur për korrupsion dhe pastrim parash, Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Nga apartamentet që jeton mes luksit, vila në Gjirin e Lalëzit, aksionet në kompaninë “Homeplan”, e deri tek njësitë e biznesit në kompleksin “Magnet”, i cili u ndërtua mbi truallin e klubit sportiv “Partizani”, pasqyrohen me detaje nga AAPSK, raporton “Shqiptarja.com”
Për 13 prej 25 pasuritë e sekuestruara, të shoqëruara me fotot në ambientet e brendshme të tyre, Report Tv ka zbuluar sa shkojnë mbi 17 milionë euro pasuri. 5 apartamente të shpërndarë në Tiranë, nga rruga “Mustafa Matohiti”, te kompleksi “Magnet”, vila luksoze në Gjirin e Lalëzit, 3 njësi biznesi, nga lokalet te palestrat, 1 sipërfaqe toke, 2 bodrume dhe 1 garazh.
Vila në Gjirin e Lalëzit me sipërfaqe 187.7 m2 ka një vlerë prej 11.9 milionë lekë, bashkë me truallin. Apartamenti luksoz, i cili shihet edhe nga pamjet e ambienteve të brendshme, i ndodhur pranë Gardës së Republikës, vlerësohet nga gjykata me 48.5 milionë lekë, rreth 485 mijë euro, dhe ka një sipërfaqe 208.2 m2. Jo më pak luksoz është edhe apartamenti tjetër në rrugën “Mustafa Matohoti, 128.3 m2, që sipas autoriteteve vlerësohet 15.3 milionë lekë.
Apartamenti me sipërfaqe 356.3 m2 në kompleksin “Magnet”, i cili sipas pamjeve është shfrytëzuar për zyra, ka vlerë 44.3 milionë lekë, ose rreth 443 mijë euro. Në të njëjtin kompleks ndodhet një tjetër apartament zyrë, me sipërfaqe 375 m2 është, me vlerë 46,6 milionë lekë, mbi 460 mijë euro. Një apartament i tretë që shfrytëzohet për zyra ndodhet në “Magnet”, 346.1 m2, vlerësuar me 43 milionë lekë të reja, ose 430 mijë euro.
Tjetër pasuri e Malltezit, me vlerë shumë të madhe është kjo sipërfaqe e madhe toke prej 3 mijë m2 që është sekuestruar në Priskë të Madhe, e cila kap vlerën e 134.4 milionë lekëve, ose mbi 1.3 milionë euro. Pasuritë e tjera të familjes Berisha, janë disa apartamente, garazhe apo edhe bodrume, edhe këto në zona të shtrenjta të Tiranës.
Në katalogun prej 614 faqesh, dallojnë pasuritë e sekuestruara të çiftit në proces divorci Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Vila e Kryemadhit te Kodra e Diellit, mes luksit dhe arredimit të përzgjedhur me kujdes, vlerësohet të kushtojë 51.7 milionë lekë, me një sipërfaqe totale të të gjitha ambienteve, gati 620 m2.
Në katalog rezultojnë të jenë përfshirë 15 nga më shumë se 30 pasuri sekuestruar bosit të lojërave të fatit, i zhdukur prej gati 3 vitesh, Ervis Martinaj. Përveç mijëra metrave katror tokë are dhe truall në Fushë Kuqe dhe zona të tjera, deri në jug të vendit, rezultojnë edhe 2 vila në Tiranë, e para me vlerë 8.4 milionë lekë për 580 m2, dhe e dyta vilë 2 katëshe në Dajt, me ambiente ndihmëse si kënde lojërash dhe sipërfaqe të madhe përreth, për të cilën nuk ka të përcaktuar një vlerë, shkruan “Shqiptarja.com”.
Lini një Përgjigje