Gjykata e Posaçme e Apelit do të shqyrtojë këtë të premte kërkesat e bëra nga të arrestuarit në dosjen “Metamorfoza” ku janë të hetuar bisnezmeni Pëllumb Gjoka, Drejtori i Forcave Operacionale Oltion Bistri, ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita dhe të tjerë, të cilët kanë kërkuar lirinë në Apelin e GJKKO-së.
Bëhet fjalë për një seri të gjatë përgjimesh të realizuara nga autoritetet franceze, ku janë zbardhur një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, kryesisht të ndodhura në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, ku 3 protagonistët në fjalë rezultojnë në hetime si bashkëpunëtorë të disa prej emrave të njohur të botës së krimit.
Përmes avokatëve, ata kundërshtojnë mënyrën proceduriale të mbërritjes së provave që përfshijnë mesazhet e përgjuara në aplikacionet SKY EÇ dhe Encro Chat të zbërthyera nga autoritetet franceze.
Mes personave që kanë bërë ankim është edhe Astmer Bilali i dyshuar për plagosjen e Hermes Beqirit në Shkodër.
Ndërkohë në kuadër të këtij operacioni u arrestua në Francë para pak ditësh edhe Behar Bajri.
Mediat franceze shkruajnë për arrestimin e Behar Bajrit, shqiptarit të shumëkërkuar nga SPAK në dosjen “Metamorfoza” që ra në pranga më 4 shtator.
“Actu 17” shkruan se shqiptari i shumëkërkuar kishte kërkuar azil në Francë në vitin 2021. Duke e cilësuar Bajrin si bos të mafias, media franceze thekson se i arrestuari në Strasburg, dyshohet se është përfshirë në atentatin ndaj Gjin Boriçit, njërit prej rivalëve të tij në Shkodër më 9 gusht 2020.
Hetuesit francezë kanë dokumentuar edhe telefonatat e 43-vjeçarit por sipas mediave, pas urdhër arrestit të lëshuar ndaj tij në korrik lokalizimi i tij është ndihmuar edhe ga të dhënat që ai kishte përdorur në kërkesën për azil dy vjet më parë. Bajri dyshohet se ka plagosur edhe Taulant Pepajn si pasojë e larjes së hesapeve mes organizatave kriminale.
Franca, vendi që Bajri kishte zgjedhur për t'u fshehur, ndihmoi në zbardhjen e komunikimeve të SkyECC, që zbërthyen krimet të fisit Bajri, prokurorit Xhevahir Lita dhe ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri.
Pas prangosjes në Francë, Bajri pritet të ekstradohet në muajt në vijim në Tiranë. Shqipëria nuk ka një marrëveshje të nënshkruar ekstradimi me Francën, megjithatë, tentativa do të bëhet përmes shfrytëzimit të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të bindur gjykatat atje.
Lini një Përgjigje