Mediat greke i kanë kushtuar një shkrim dorëheqjes së Jorgo Goros nga drejtimi i bashkisë së Himarës.
Sipas medias greke “Kathimerini”, synimi i qeverisë shqiptare është që të emërojë një kryebashkiak të përkohshëm para Vitit të Ri.
Gjithashtu, thuhet se kjo është një lëvizje strategjike e Ramës, si një katalizator për të balancuar marrëdhëniet greko-shqiptare.
“Qeveria shqiptare po punon aktualisht për krijimin e një kuadri ligjor që do të mundësonte emërimin e një kryetari të përkohshëm bashkie, në përputhje me arsyetimin e paraqitur në deklaratën e fundit të kryeministrit Edi Rama.
Synimi është të sigurohet që kryebashkiaku i përkohshëm, që pritet të jetë anëtar i pakicës kombëtare greke, të zgjidhet përpara Vitit të Ri. Kjo lëvizje strategjike e Ramës perceptohet në Tiranë si një katalizator potencial për rivendosjen e një ekuilibri në marrëdhëniet greko-shqiptare”, shkruan media greke.
Në një postim në rrjetet sociale, ku pranon krizën në bashkinë e Himarës, kryeministri Edi Rama e kishte etiketuar Belerin si “kryetar i zgjedhur” dhe Goron “kandidatin e mundur pa legjitimitet”, thuhet në shkrimin e gazetës greke.
Kujtojmë se Goro ngeli në detyrë, pavarësisht se humbi zgjedhjet e 14 majit, ndërkohë fituesi i garës është Fredi Beleri, i cili ndodhet pas hekurave për blerje votash, duke mos kryer në këto kushte dhe betimin.
Vendimi i Jorgo Goros vjen pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama për largimin e tij nga detyra. Mësohet se dorëheqja i është paraqitur edhe prefektit të qarkut Vlorë.
Në krye të bashkisë Himarë deri në përfundimin e zgjedhjeve të reja pritet të emërohet një tjetër nga radhët e PS-së.

Lini një Përgjigje