TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Tetor 2023, 12:14

Mbahet seanca për çështjen Gërdeci, flasin 15 dëshmitarët e radhës të thirrur nga SPAK

Shkruar nga Pamfleti

Mbahet seanca për çështjen Gërdeci, flasin 15

Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës për çështjen Gërdeci për të cilën akuzohet ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Në seancën e sotme pritet të pyeten 15 dëshmitarët e radhës të thirrur nga SPAK.

Gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK për të thirrur si dëshmitar 72 persona, mes tyre Aldo Bumçin dhe Shkëlzen Berishën.

Çështja ndaj ish-ministrit Mediu është rihapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.

Më parë Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e familjarëve të viktimave të Gërdecit si palë në procesin kundër ish ministrit Fatmir Mediu. 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i një baze ushtarake më 15 mars të vitit 2008.

SPAK ka dërguar për gjykim ish ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet se në lidhje me procesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin.

Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

gerdeci

Lini një Përgjigje