Jamarbër Malltezi ka ankimuar në Apel vendimin e GJKKO-së që dha masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua nga autoritetet në datën 21 tetor në aeroportin e Rinasit, ndërsa akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.
Për Jamarbër Malltezin është dhënë edhe urdhri për sekuestrimin e pasurive të tij, mes të cilave apartamente në zonën ku ndodhej ish-kompleksi sportiv.
Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim dhe pastrim parash në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
Në 23 tetor Gjykata e Posaçme vendosi ta lërë në fuqi masën arrest me burg më Malltezin.
Jamarbër Malltezi kërkoi shfuqizim të masës së sigurisë, ndërsa avokatët e tij pretenduan se nuk ka vepër penale.
Por trupa gjykuese nuk i mori parasysh këto kërkesa. Pas seancës, avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, tha se me këtë vendim cënohet parimi i sigurisë juridike dhe se provueshmëria është e një standardi të ulët.
'Qëndrimi jonë që në rastin konkret nuk ka vepër penale. Personat nën hetim janë përballë një marrëdhënie juridiko-civile të pastër. Nuk mund të aludohet që me anë të ligjeve apo VKM-ve, të cilat as nuk janë kundërshtuar, të pretendohet kryerja e veprave penale. Qëndrimi jonë me akuzat e atribuara, qëndrim mohues, këtë e them me bindje për aq sa mundëm t’i shihnim fashikujt. Të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familje tiranase, siç është Begeja dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një trashëgimtar tjetër të një familje tjetër tiranase,është shumë e guximshme. Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime, këtu në këtë vend po cënohet parimi i sigurisë juridike.', tha Klodian Skënderi, Avokati i Jamarbër Malltezit.
Edhe për ndërtuesin Fatmir Bektashi u la në fuqi masa e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit.
Lini një Përgjigje