
Ushtria izraelite në një sulm në Gaza vrau Jamila al-Shanti, e veja e bashkëthemeluesit të Hamasit Abdel Aziz al-Rantisi dhe gruaja e parë e zgjedhur në 2021 në Byronë Politike të organizatës.
Këtë e bëjnë të ditur burime lokale. Burri i saj Al-Rantisi u vra në vitin 2004 po nga një sulm izraelit.
Ndërkohë ushtria izraelite thotë se aktualisht po godet objektivat e Hezbollahut në Liban. Televizioni libanez Al Mayadeen kishte raportuar se sulmet ajrore kishin në shënjestër dy fshatra në jug të vendit: Kafr Shuba dhe Odaisseh.
Gjatë një vizite në Izrael të mërkurën, presidenti amerikan Joe Biden tha se Izraeli është pajtuar t’i lejojë ndihmat humanitare në enklavën e varfëruar, madje edhe derisa është duke e bombarduar atë si përgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në Izrael.
Izraeli, i cili i kontrollon pothuajse të gjitha pikëkalimet e Gazës, thotë se nuk do të lejojë futjen e ndihmave përmes tokës së vet “derisa të lirohen të gjitha pengjet”.
Ushtria e Izraelit i nisi bombardimet dhe e rrethoi Rripin e Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit, ujit dhe karburantit dhe duke ndërprerë furnizimin me rrymë, menjëherë pasi militantët e Hamasit kryen sulme në disa qytete jugore izraelite më 7 tetor.
Lini një Përgjigje