
Deputetët e opozitës do të depozitojnë sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin për tatimin me 23% për profesionet e lira.
Ankimi do të depozitohet sot në orën 12:30 nga anëtarët e Komisionit të Ekonomisë.
Dje ishte kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ai që njoftoi për hapin në fjalë.
“Sot në orën 12:30, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së dorëzojnë ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, për ligjin e tatimit 23% për profesionet e lira”, thuhet në reagim.
Me nisjen e zbatimit nga 1 janari 2024 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” fitimet e bizneseve të profesioneve të lira do të tatohen nga 15 deri 23% pas zbritjes së shpenzimeve nga të ardhurat vjetore.
Administrata Tatimore ju ka dërguar shkresë bizneseve duke i njoftuar që janë pjesë e listës së profesioneve të lira të miratuar nga qeveria, për këtë arsye nga 1 janari 2024 do të tatohen 15%.
Në shkresën e tatimeve dërguar bizneseve të profesioneve të lira sqarohet se për llogaritjen e tatimit paraprak të vitit 2024, do të përdoren të dhënat që kjo kategori biznesesh do të deklarojnë për të ardhurat dhe shpenzimet e 2023. Konkretisht, të dhënat e deklaruara për të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin e tatueshëm, që bizneset do të deklarojnë për vitin 2023, do të jenë objekt i vlerësimit nga Administrata Tatimore për përllogaritjen e tatim fitimit paraprak gjatë vitit 2024.
Kjo skemë është e njëjtë me atë që përdoret për bizneset e mëdha, të cilat e parapaguajnë tatim fitimin bazuar në fitimet e viteve të mëparshme.
Lini një Përgjigje