
Lideri i partisë më të madhe opozitare në Greqi, Syriza, Stefanos Kasselakis prej ditës së djeshme ka nisur një tur takimesh në rajonin e Epirit.
Turi që do të zgjasë tre ditë sipas mediave greke parashikon ditën e nesërme një vizitë të Kasselakis në bashkitë minoritare greke në jug të Shqipërisë, por jo në Himarë.
Ai do të ndalojë në fshatra minoritare si Jorgucati e Bularati dhe do të ketë takime me sipërmarrësit minoritarë në Bashkinë e Dropullit. Mediat greke e kanë përshkruar si të çuditshëm faktin që Kasselakis, ka përjashtuar nga turi i tij Himarën dhe se nuk do të takojë Belerin.
Takimet e Kasselakis me minoritetin grek vijnë në një kohë kur marrëdhëniet greko-shqiptare qëndrojnë prej muajsh “të ngrira”, për shkak të çështjes “Beleri” dhe dënimit me burg për krime zgjedhore.
Beleri mbetet ende pas hekurave në burgun e Fierit, ndërsa kundërshtari më i madh i SYRIZA-s, kryeministri Kyriakos Mitsotakis e ka përfshirë atë në listën me 42 kandidatë për eurodeputet të partisë qeverisëse “Demokracia e Re”.
Theksojmë se partia më e madhe opozitare greke “SYRIZA”, ka kritikuar Mitsotakis për qëndrimin e tij ndaj Shqipërisë për çështjen Beleri. Kasselakis këtë çështje ja ka lënë në dorë drejtësisë shqiptare dhe ka theksuar se nuk duhet penguar anëtarësimi i Shqipërisë, pasi Mitsotakis paralajmëroi veto.
Agjenda e Kasselakis:
09:00: Hyrja në Shqipëri nga stacioni kufitar i Kakavijës
09:30: Vizitë në shkollën e Bularatit dhe varrezat e ushtarëve grekë
10:30: Ndalesë në Jorgucat. Takim në Bashkinë e Dropullit dhe vizitë në dyqanet e minoritarëve
11:30: Ndalesë në qendrën "Kalimera" të fshatit Vanister ku do të takohet me sipërmarrës minoritarë
12:45: Ndalesë në Kakavijë
12:45-13:00: Dalja nga stacioni kufitar i Kakavijës
Lini një Përgjigje