
Ndryshimet u miratuan me 106 vota pro.
Dy partitë kryesore në vend, PS dhe PD kanë legjitimuar sot “pazarin” e dakordësuar në fillim të kësaj jave për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Pavarësisht kundërshtimit të partive të vogla dhe aleatëve të opozitës, PD-ja e Berishës bashkoi votat me mazhorancën e Ramës, duke miratuar ndryshimet e reja. Ndryshimet u miratuan me 106 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim. Alibeaj e Dashnor Sula ishin kundër.
Kujtojmë se ndryshimi më thelbësor i këtij pakti është neni 67, ku palët bien dakord që 70 për qind të listave të jenë të hapura dhe 30 të jenë të mbyllura.
Pra në zgjedhjet e ardhshme do të jenë po Rama me Berishën ata që do të vendosin fituesit, duke ruajtur kështu pazarin e vitit 2008. Kjo do të thotë se me formulën e re për shpërndarjen e mandateve, dy partitë e mëdha PS-PD, ndryshe nga sa premtuan, forcuan vullnetin e kryetarit në hartimin e listës pasi plot 100 deputetë do emërohen prej tyre.
Vlen të theksohet se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, shqiptarët do të votojnë me një kod të ndryshuar zgjedhor, ku risia është dhënia mundësi shqiptarëve që jetojnë jashtë, për t’u bërë pjesë në zgjedhjes të përfaqësuesve në parlament.
Gjithashtu u miratua dhe amendamenti i deputeteve që kërkonin që edhe në pjesën e hapur të listës, të sigurohet që ⅓ e atyre që do të shkojnë në Parlament të jenë gra.
Por si do të funksionojë skema?
Partitë do të dorëzojnë dy lista kandidatësh, një listë me emra të fiksuar, pra lista e mbyllur dhe një listë me kandidatë të hapur. Sipas propozimit, te lista e mbyllur do jenë vetëm 30 për qind e numrit total të mandateve në atë qark.
Pra nëse marrim Tiranën që ka 34 deputetë, çdo parti do dërgojë 11 emra, që do kenë thuajse të sigurt fitoren. Ndërkohë do dërgojnë dhe një listë të dytë me 34 emra, ku aty do të jetë një renditje se kush merr më shumë vota. Duke qëndruar në Tiranë, nëse një parti merr 15 mandate, 11 emrave të parë që janë shpallur fitues nga kreu i partisë, do u bashkëngjiten dhe 4 të tjerët më të votuar nga lista e hapur.
Një tjetër element është se u mbyllet dera partive të vogla. Partitë kanë rënë dakord që të mbetet në fuqi pragu 1 për qind. Pra, nëse asnjë parti në rang kombëtar nuk merr 1 për qind të votave, nuk merr mandat. Kjo godet gjithë partitë e reja që pritet të futen në garë, nga Alrind Qori, Adriatik Lapaj, Endri Shabani, etj.
Gjithashtu në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025, në 5 qarqe pritet të implementohet votimi elektronik./Pamfleti
Lini një Përgjigje