
Skandali me gjendjen e Unazës së Poshtme të Burrelit po thellohet, pasi segmenti rrugor po degradon çdo ditë e më shumë, duke shfaqur shembje dhe fundosje në një pjesë të konsiderueshme të gjatësisë së tij.
Në pamje shihet se dëmtimet e mëparshme nuk janë rikonstruktuar nga firma kontraktore “Ulza sh.p.k”, çka ka sjellë përkeqësim të vazhdueshëm të situatës në terren.
Edhe pse rruga duhej të ishte në funksion prej të paktën gjashtë muajsh, investimi prej 1.2 milionë eurosh ka rezultuar problematik, pasi segmenti ka pësuar katër shembje të mëdha, duke e bërë atë praktikisht të pakalueshëm.
Pak muaj më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dërgoi një grup ekspertësh për të vlerësuar dëmet, duke paralajmëruar një ndërhyrje të re për riparimin e tyre. Sipas ekspertëve, është parashikuar ndërtimi i pilotave në një gjatësi prej 300 metrash linearë, por deri më tani investimi nuk ka nisur.
Si pasojë e kësaj situate, mjetet e tonazhit të rëndë vijojnë të qarkullojnë përmes rrugëve të brendshme të qytetit të Burrelit, duke rënduar trafikun dhe rritur shqetësimet e banorëve.
Lini një Përgjigje