
Gazetari Artan Hoxha ka hedhur akuza të rënda lidhur me zhdukjen e Ervis Martinajt. Sipas tij, grupi kriminal që qëndron pas eliminimit të tij është sot më i fuqishëm se kurrë dhe ka kapur pushtetin.
Në një intervistë në Euronews Albania, Hoxha tha se fundi i Martinajt nuk erdhi për shkak të përplasjeve me botën e krimit, por sepse ai u konfliktua me pushtetin. Ai përmendi një deklaratë të mëparshme të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte aluduar publikisht për vendndodhjen e Martinajt me fjalët: “E dimë kush është drejtori i lojërave të fatit, ia dimë edhe targën e makinës.”
“Kryeministri u përfshi vetë në atë ngjarje, nga të rrallat. Në një aktivitet publik ka thënë se e dimë kush është drejtori i lojërave të fatit, ia dimë targën e makinës. Ishte përfshirja në fushatë e Ervis Martinajt në mbështetje të opozitës dhe prandaj Rama e etiketoi. Mesazhi ishte shumë i qartë”, u shpreh Hoxha.
Gazetari theksoi se pas zhdukjes së Martinajt, grupi që kreu ekzekutimin jo vetëm që nuk është goditur nga drejtësia, por është fuqizuar edhe më shumë, duke fituar terren dhe ndikim në hierarkinë e krimit të organizuar në Shqipëri.
“Shikoni ngjarjet e fundit që po ndodhin në Shqipëri. E njëjta dorë që eliminoi Martinajn, ka marrë ngjitje të menjëhershme dhe sot është shumë aktive dhe e rrezikshme. Kemi një hierarki të re në botën e krimit dhe në botën e vrasësve me pagesë. Asnjë nga ajo skuadër nuk është arrestuar. Jeton Lami, oficeri i vetëm që mund të ndihmonte, ka heshtur. Historia ka mbetur aty që kur ai doli”, tha Hoxha.
Ai shtoi se autoritetet ligjzbatuese kanë të dhëna, por nuk guxojnë të veprojnë për shkak të fuqisë së atij grupi kriminal që, sipas tij, është futur në të gjitha nivelet e pushtetit.
“Jo se s’kanë të dhëna, por një pjesë nuk duan të flasin. Aleanca që realizoi vrasjen është shumë e fortë dhe në pushtet në të gjitha hallkat. Nuk mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse nuk je i lidhur me ata që janë lart. Fundi i Martinajt erdhi jo për shkak të rivalëve – ata i kishte gjithë jetën – por sepse u përplas me pushtetin. Ai nuk ishte strukturë fisnore apo shoqërore, ishte mercenar”, deklaroi Hoxha.
Kush do ta nxjerr vendin nga kjo sketrre krimi? Sa do te zgjas dalja e nje lideri te ri qe do tu orij mirfilli shqiotarve?