TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Tetor 2024, 20:35

Kur do të “shkrepë” SPAK-u?

Shkruar nga Pamfleti
Kur do të “shkrepë” SPAK-u?
Altin Dumani

Është folur prej kohësh që do të ketë arrestime të tjera të bujshme, mirëpo nuk po shohim gjë....

Në fund të dhjetorit Altin Dumani bën fiks 2 vite në krye të SPAK dhe viti 2025 do të jetë vendimtar për bilancin e tij. Ndonëse ka pasur premtime të shumta se të korruptuarit “nuk do gjejnë vrimë ku të futen”, në këto dy vite ka pasur vetëm një goditje të bujshme sa i takon luftës antikorrupsion dhe disa aksione të tjera të debatueshme.

Goditja e bujshme ishte marrja e Berishës të pandehur, ndonëse ha debat masa e sigurisë për të, pasi fillimisht u la në “detyrim paraqitje”. Më pas kemi akuzat ndaj ish/zv-kryeministrit Ahmetaj, të cilat kanë ngjallur shumë debate, pasi edhe vetë gjykata e ktheu dosjen e inceneratorit për plotësim. Emri i fundit "big" që është pas hekurave është Ilir Beqja, por dhe te ai pati sërish debate, kjo pasi për aferat në shëndetësi u amnistua dhe u arrestua për fondet e BE. Për ish-kryebashkiakët nuk po flasim, pasi edhe aty ka pasur debate.

Pra në 2 vite, SPAK ka lëvizur, por kemi vetëm një “peshk të madh”. Është folur prej kohësh që do të ketë arrestime të tjera të bujshme, mirëpo nuk po shohim asnjë.

Cilët janë më të rrezikuarit?

Ai që padyshim është më i shqetësuari është Ilir Meta. Ndaj tij po kryen hetime në disa fronte. Nga njëra anë kemi dosjen CEZ-DIA, ku hetimet janë thelluar. Nga ana tjetër kemi hetime për pastrim parash, fshehje pasurie, ku këtu përfshihen ndërhyrjet estetike, lobimet në SHBA, etj.

Hetimet ndaj tij kanë mbi 3 vite që zhvillohen dhe nuk kemi asnjë konkluzion. Është folur disa herë që Meta do të arrestohet, por nuk po shohim asgjë. Pak ditë më par u fol se goditja e bujshme do të ndodhë para Krishtlindjes, por duhet të shohim dhe të presim.

Kemi dy ish-ministre të Ramës që janë prej kohësh duke u hetuar, por SPAK nuk po shkrep. E kemi fjalën Olta Xhaçkën me Frida Krifcën. E para po hetohet për abuzime me pronat e ushtrisë, ndërsa e dyta për abuzime me fondet e IPARD.

Kemi dosjen e Gërdecit, ku po hetohet për trafik fishekësh. Është folur gjatë se i rrezikuar është djali i Berishës, por deri më tani nuk kemi parë asnjë zhvillim.

Kemi dosjen “McGonigal”, por duket se SPAK aty është shumë e kudjesshme, sepse është emri i kryeministrit. Lidhur me të kemi edhe Xibrakën, ku del emri i vëllait të Ramës. Ka shumë terr lidhur me hetimet e rinisur mbi këtë dosje.

Po ashtu është folur se do të ketë një aksion të gjerë lidhur me përgjimet e SKY ECC, pasi dalin njerëz të drejtësisë, drejtorë dhe politikanë. Bëhet fjalë për njerëz të njohur në politikë, prokurori, gjyqësor, dhe madje në KLGJ e KLP. Por edhe ky operacion ka mbetur në letër. Mbetet të shohim nëse do të shkrepë SPAK deri në fund të këtij vit, apo do godasë pas zgjedhjeve. /Pamfleti

Lini një Përgjigje